Ndërlidhjet

Kosova përfitoi kur vendosi barriera tregtare me fqinjët


Bllokimi i kufirit me Maqedoninë
Bllokimi i kufirit me Maqedoninë
Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje, përgjatë gjashtë vjetëve të fundit ishin përcjellë me probleme të ndryshme. Vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnje e Hercegovina dhe Shqipëria, jo rrallë herë gjatë kësaj kohe u kishin vënë barriera tregtare prodhimeve kosovare, duke dëmtuar kështu ekonominë e Kosovës.

Barriera më të mëdha tregtare karshi Kosovës kishin bërë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, kishin ndaluar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së Doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.

Maqedonia, ndërkohë, kishte vënë barriera për prodhimet kosovare, siç ka qenë rasti me prodhimet e pijeve dhe së fundi rasti me miellin.

Shqipëria, për një kohë të gjatë kishte aplikuar çmimin referent për patatet e prodhuara në Kosovë.

Derisa, Kosova në raport me këto barriera që i ishin bërë, kishte reaguar në mënyra të ndryshme, mënyra këto që ishin përkrahur nga prodhuesit kosovarë, por që çdo herë ishin akuzuar, por mosveprim të menjëhershëm.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon për marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet e rajonit gjatë këtyre viteve.

Ai thotë se ka pasur mjaft probleme të natyrës tregtare, por që, sipas tij, tani këto marrëdhënie me vendet e rajonit janë më të relaksuara.

“Në katër vitet e fundit kemi pasur një përmirësim kualitativ të këtyre marrëdhënieve, duke i adresuar shumicën e çështjeve që i kanë penguar prodhuesit kosovarë të ekspertojnë produktet e tyre në rajon. Po ashtu, besoj se ka pasur një përmirësim kualitativ edhe të mundësisë tregtare të Kosovës me Bashkimin Evropian”, tregon Nikaj.

Autori i analizës “Kosova në Kontekst Rajonal: Marrëdhëniet Ekonomike dhe Tregtare”, Shpend Kursani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë vlerëson se Kosova kishte pritur shumë nga marrëveshjet tregtare me vendet e rajonit, por, siç thekson ai, përfitimet nga këto marrëdhënie tregtare ishin në favor të vendeve të rajonit.

“Në përgjithësi, Kosova nuk ka qenë pro-aktive në këtë aspekt, Kosova ku gabon është se i jep rëndësi dhe varet shumë nga të mirat që i pret nga marrëveshjet e tregtisë së lirë, por duke marrë parasysh që në Kosovë ekziston nivel i ulët i prodhimit, vendi ynë nuk ka përfituar shumë nga marrëveshjet për tregti të lirë. Në fakt, shumë më shumë ka përfituar kur ka vendosur barriera”, thotë Kursani.

Ai thekson se Kosova, si një vend me sektor të varfër të prodhimtarisë, nuk ka pasur se çfarë të eksportojë gjatë këtyre viteve, derisa vendet e rajonit janë ato, të cilat vërshojnë tregun e Kosovës me produktet e tyre.

Kosova për 52 ditë në vitin 2011 kur kishte bllokuar produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, thekson Kursani, kishte përfituar më së shumti, pasi që filloi të rritej prodhimi i shumë ndërmarrjeve dhe rrjedhimisht u hapën edhe vende të reja të punës.

“Fatkeqësisht, ka qenë kohë e shkurtër që të shihet efekti pozitiv i saj në disa nga prodhuesit duke marrë parasysh që Serbia është shteti numër dy importues nga i gjithë rajoni në Kosovë. E, sa i përket shteteve tjera të rajonit, të cilat kanë vendosur barriera tregtare ndaj Kosovës, mendoj se këto kanë qenë më shumë nga lobimit i brendshëm i atyre shteteve në qeverinë e tyre për përfitime afatshkurta”, vlerëson Kursani.

Ndërkohë, marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, sipas Bernard Nikajt, ushtrues detyre i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, do të përmirësojë pozitën tregtare në Kosovës.

“Ne tani jemi në fazat finale të negocimit dhe përfundimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Krejt këto masa do ta përmirësojnë pozitën tregtare në raport me shtet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian”, shton Nikaj.
XS
SM
MD
LG