Ndërlidhjet

Bllokimi i prodhimeve maqedonase s’vërehet në tregun kosovar


Kufiri me Maqedoninë
Kufiri me Maqedoninë
Kufiri i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar për produktet e prodhuara në Maqedoni, ndërkaq disa kamionë me prodhime të shteteve tjera kanë hyrë në territorin e Kosovës, bëjnë të ditur autoritetet kompetente.

Ndërkaq, pavarësisht deklaratave të Driton Lajçit, këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, se Shkupi zyrtarë ka hequr taksën rrugore, e cila obligonte kosovarët që të paguajnë nga dy euro për person, dhe 5 euro për veturë, në momentin kur shkelin tokën maqedonase, një gjë e tillë mohohet nga zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila.

Ajo për Radion Evropa e Lirë thotë se ende mbesin në fuqi taksat dhe ndalesa për miellin dhe grurin nga Republika e Maqedonisë, rrjedhimisht edhe ndalesa për prodhimet maqedonase nga ana e Republikës së Kosovës.

“Në vazhdimësi kemi qenë në kontakt me Qeverinë e Maqedoninë, kjo e fundit do të mblidhet për të shqyrtuar heqjen e taksës, atëherë mund të kemi një veprim të zgjedhjes. Përndryshe, çdo gjë do të mbetet në situatën që është, status –quo, në rast se nuk lëviz pala maqedonase nga pozicioni që është krijuar”, deklaron Kusari - Lila.

Ministrja Kusari - Lila, thotë se prodhimet nga vendet e treta mund të kalojnë kufirin, por kjo varet nga transportuesit, të cilët e kanë bllokuar rrugën.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tregon për dërgesat nga shtetet tjera, të cilat kanë arritur të hyjnë në territorin e Kosovës.

“Mbrëmë kanë hyrë 20 dërgesa me mallra, 6 dërgesa me mallra kanë qenë me origjinë nga Greqia, 8 nga Turqia, 4 nga Bullgaria nga 1 kanë qenë nga Gjermania, Polonia, Hungaria dhe Austria. Po ashtu, ka pasur edhe dërgesa të KFOR-it”.

“Mallra me origjinë të Maqedonisë, nuk ka pasur. Te qarkullimi i udhëtarëve nuk ka pasur ndonjë ndryshim, qarkullimi ka qenë minimal, vetëm i këmbësorëve”,
bën të ditur Stavileci.

Problemet ndërmjet dy shteteve fqinje Kosovë – Maqedoni, kanë filluar nga korriku, kur Shkupi zyrtar ndaloi hyrjen e prodhimeve të miellit dhe grurit nga territori i Kosovës, por edhe për vendet tjera anëtare të CEFTA-s.

Ndërkaq, më pas Qeveria e Kosovës iu kundërpërgjigj me masa reciprociteti duke bllokuar hyrjen e disa produkteve të qumështit të prodhuara në shtetin e Maqedonisë.

Por, problemet eskaluan kur të dielën shteti i Maqedonisë vendosi taksë rrugore për qytetarët dhe automjetet, ndërkaq e irrituar nga ky vendim, Qeveria e Kosovës, mbylli kufijtë për të gjitha prodhimet maqedonase.

Sidoqoftë, afaristë kosovarë, thonë se nga vendimi i Qeverisë nuk kanë futur prodhime maqedonase në tregun kosovar dhe kjo nuk ka ndikuar në ngritjen e çmimeve apo çrregullimin e tregut.

Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë “ELKOS Group”, thotë se ka ndërprerë edhe importin e mallrave nga shtetet tjera, të cilat duhet të kalojnë transit në territorin e Maqedonisë.

Megjithatë, Kelmendi thekson se duhet të gjendet një zgjidhje për zhbllokimin e kufirit.

“Jo kjo nuk ndikon në rritjen e çmimeve, mund të ndikojë vetëm atëherë kur mund të paraqitet ndonjë mungesë, por këto bllokada që kanë zgjatje një apo dy javë, nuk ndikojnë në rritjen e çmimeve, për shkak se tregtarët kanë depozita të caktuara për një afat të caktuar prej 14 deri në 30 ditë, me të cilin e sigurojnë tregun për të mos pasur devijime”, shprehet Kelmendi.

Në Kosovë tregu i derivateve të naftës në një përqindje varet nga rafineria e naftës në Maqedoni. Por, as në këtë sektor, nuk ka pasur ndonjë problem apo rritje të çmimeve, për shkak se përfaqësues të kompanive kanë gjetur alternativa tjera, me theks të veçantë është rritur importi nga portet e Shqipërisë, thotë Nazmi Bytyçi, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

“Mbi 30 për qind e derivateve të naftës importohen nga Maqedonia, por që aktualisht nuk ka ndonjë problem. Deri më tani nuk ka pengesa pasi është rritur sasia e derivateve nga tregu i Shqipërisë”, thotë Bytyçi.

Bllokimi i mallrave të prodhuara në Maqedoni, nuk ka dëmtuar në masë të madhe ekonominë vendore, pasi që nga viti 2010 deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nga Maqedonia ka pasur një import prej 1 miliard eurosh, derisa për të njëjtën periudhë, Kosova ka pasur eksport në këtë shtet vetëm 73 milionë euro.

Sipas analizave të disa shoqatave ekonomike në Kosovë dhe Maqedoni, thuhet se dëmet nga embargoja ndërmjet dy vendeve, kompanive maqedonase u kanë kushtuar humbje deri në një miliard dollarë në ditë.
XS
SM
MD
LG