Ndërlidhjet

KEDS: Nuk kemi kërkuar rritje të çmimeve


Ilustrim
Ilustrim
Do të ketë apo jo shtrenjtim të energjisë elektrike? Kjo çështje ende mbetet e paqartë.

Përderisa zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike theksojnë se Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka dorëzuar aplikacione, për siç thuhet, lejimin e të hyrave maksimale, zyrtarë të kësaj të fundit pohojnë se nuk kanë bërë ndonjë kërkesë për ngritje të tarifave të energjisë elektrike.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se aplikacioni për lejimin e të hyrave maksimale, nënkupton kërkesë për ngritje të çmimeve.

Adelina Muretezaj - Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike, mekanizëm ky i cili përcakton çmimin e energjisë elektrike në Kosovë, thotë se KEDS ka dorëzuar aplikacione, por që ende nuk dihen kërkesa e tyre.

“KEDS dhe të gjithë të licencuarit e të tjerë, ndërmarrjet e energjisë, kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për lejimin e të hyrave maksimale. Që do të thotë për lejimin e kostos që atyre u nevojitet për prodhimin dhe furnizimin e energjisë të konsumatorët fundorë".

"Aplikacionet e tyre janë duke u shqyrtuar nga ekspertët tanë në departamentin e çmimeve dhe tarifave dhe aktualisht nuk mund të flasim për kërkesën e tyre, pasi këto aplikacione janë në proces të shqyrtimit dhe të analizimit”, thotë Murtezaj- Bajrami

Por, zyrtari për informim në Distribucionin e Furnizimit më Energji Elektrike, Guri Shkodra, për Radion Evropa e Lirë pohon se KEDS nuk ka kërkuar nga ZRRE-ja ngritjen e tarifave për energji elektrike.

Ai madje i quan dezinformata paralajmërimet në disa media lokale për kërkesë të ngritjes se tarifave të energjisë elektrike.

“Nuk ka kërkesë për ngritje të tarifave, kjo është një dezinformatë faktikisht. Zyra e rregullatorit të energjisë elektrike ka publikuar raportin për strukturën tarifore më të cilin raport ka paraparë propozime për reformim të strukturës tarifore”, shprehet Shkodra.

Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë sillen nga 2.54 centë deri në 10.16 centë për një kilovat.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderojnë se kërkesa për lejimin e të hyrave maksimale, mund të interpretohet edhe kërkesë për ngritje çmimesh.

Kushtrim Puka, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm lidhur më këtë thotë:

“Nëse KEDS –i ka paraqitur në ZRRE ka paraqitur kërkesë sidomos për rritje e të vlerës e të hyrave maksimale për ketë vit, ajo rrjedhimisht do të nënkupton edhe një kërkesë për rritje të tarifave të energjisë elektrike, në mënyrë që të arrihet mbledhja e këtyre të hyrave të lejuara maksimale”, thekson Puka.

Shtrenjtimi eventual i energjisë elektrike do të rëndojë edhe më tepër buxhetin familjar, thonë disa qytetarë.

Pensionisti Bedri Halimi, thotë se çmimi i energjisë edhe tash është shumë i lartë.

“Unë kam dëgjuar se do të shtrenjtohet energjia elektrike, kjo është katastrofë. Por, edhe tash çmimi është shumë i lartë. Nuk di se si do të paguajmë".

Ekonomisti Adem Hyseni, nga Prishtina, thotë se rritja e tarifave për energji elektrike nuk duhet të ndodh.

“Rryma është e shtrenjtë. Por, tani për tani unë nuk po shoh diçka mirë”.

Sidoqoftë, muajve të fundit shumë konsumatorë kanë paraqitur ankesa në KEDS, për shkak të dyshimit se faturat e energjisë elektrike kanë ardhur dyfish më të shtrenjta.
XS
SM
MD
LG