Ndërlidhjet

Çështja e pronave të zgjidhet në mënyrë reciproke


Ilustrim
Ilustrim
Edhe 6 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë, nuk udhëhiqen dhe nuk shfrytëzohen nga autoritetet kosovare.

Autoritetet kompetente në Kosovë ka kohë që kanë identifikuar disa asete të ndërmarrjeve shoqërore në vende të ndryshme të rajonit, por për veç që kanë zhvilluar bisedime dhe vizita deri më tani nuk ka asgjë konkrete për kthimin e tyre.

Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se edhe në Kosovë ekzistojnë asete të ndërmarrjeve të vendeve të ish- Jugosllavisë dhe kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë reciproke.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, shpreh dyshimin se një pjesë e pronave të Kosovës në territorin e ish - Jugosllavisë janë privatizuar apo shitur në forma të dyshimta, ose janë zëvendësuar më pronat tjera në Kosovë.

"Ne duhet të ndalemi edhe një fakt tjetër për të pasur më të qartë këtë problem që edhe ish–Republikat jugosllave kanë pasur prona në Kosovë. Numri i saktë mund të jetë 200 firma të ndryshme të cilat ose janë privatizuar nga ana e atyre kompanive ose janë uzurpuar ose përdoren në mënyrë ilegale nga kompani apo individë të caktuar", thekson Bektashi.

Ndërkaq eksperti tjetër i ekonomisë Milazim Abazi, thotë se neglizhenca e autoriteteve kompetente karshi këtij problemi, tregon mungesën e raporteve të Kosovës me shtetet fqinje.

Abazi thotë se në këtë kuadër, zgjidhja e kësaj çështjeje mund të paraqitet problem vetëm me Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, ndërkaq me shtetet tjera, një angazhim i shtuar mund të sjellë rezultate pozitive.

Qeveria e Kosovës duhet të negociojë me të gjitha qeveritë e shteteve fqinje, të ia njoh të drejtën e pronës se tyre në Kosovë, dhe natyrisht të kërkojë njohjen e pronave të Kosovës në të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish Jugosllavia. Unë sa kam informata pak është punuar në këtë drejtim”, shprehet Abazi.

Sa i përket problemit me shtetin e Serbisë, Mejdi Bektashi, konsideron se kjo çështje duhet të ngrihet edhe në bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit,që po zhvillohen në Bruksel.

“Mirëpo Bosnja dhe Serbia nuk e pranojnë ende realitetin e ri në Kosovë. Dhe unë besoj se në bisedimet që mund të zhvillohen, ose konferenca për sukcesion duhet të dimë se Republika e Serbisë është trashëgimtare dhe i ka marrë të gjitha obligimet e ish-Jugosllavisë. Dhe Kosova mund të ketë konferencë të sukcesionit jo me republikat tjera, por vetëm me Republikën e Serbisë që i ka marrë të gjitha obligimet dhe të drejtat e shtetit komunist”, thekson Bektashi.

Sipas dokumenteve zyrtare, në territorin e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 42; 15 gjenden në Bosnjë e Hercegovinë; në Kroaci 6; 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.

Në bazë të këtyre dokumenteve, vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, ka 31 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj vjen “Trepça” me 31 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export”, e të tjera.
XS
SM
MD
LG