Ndërlidhjet

Miqësorja me Haitin, hapi i parë në garën e gjatë


Stadiumi "Adem Jashari"
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Stadiumi "Adem Jashari"

Të mërkurën, më 5 mars, Kosova do ta bëjë hapin e parë, ndonëse simbolik, për thyerjen e bllokimit të futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndeshja e përfaqësueses së Kosovës me përfaqësuesen e Haitit, është ndeshja e parë ndërkombëtare miqësore, e cila pritet të zhvillohet me lejen e Federatës Botërore të Futbollit - FIFA.

Kjo e fundit e ka dhënë dritën e gjelbër që Kosova të mund të zhvillojë takimet ndërkombëtare miqësore, pavarësisht faktit se Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk është pranuar si anëtare e Federatës Botërore të këtij sporti.

Interesimi për këtë ndeshje, nga përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, përshkruhet si i jashtëzakonshëm.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj federate, Eroll Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se për Kosovën në përgjithësi, e sidomos për dashamirët e futbollit në vend, kjo ndeshje ka domethënie të veçantë dhe kjo është treguar sapo kanë nisur të shiten biletat për takimin e së mërkurës.

“Pothuajse për 1 ose 2 orë janë shitur 8 mijë bileta, që tregon se është interesim i jashtëzakonshëm, si nga bashkatdhetarët tanë, që janë nëpër shtetet e huaja, e të mos flas për ata që janë në Kosovë. Për herë të parë do ta kemi edhe të ashtuquajturën ‘VIP’ që do të menaxhohet nga protokolli shtetëror dhe nga Federata e Futbollit të Kosovës".

"Kemi tentuar t’i ftojmë ata që janë më meritorët, por sigurisht që dikush do të harrohet, ndonëse po besoj se i kemi futur të gjithë nën këtë ombrellë. Gjyqtarët janë caktuar nga FIFA dhe do të vijnë pas dy ditësh”,
thotë Salihu.

Ai shton se tashmë drejtuesi i FIFA-s, Sep Blater, e ka dërguar në Kosovë këshilltarin e tij, Walter Gagg, ndërkohë që nga FIFA pritet të vijë edhe një inspektor i sigurisë.

Salihu thekson se megjithatë, tradita e futbollit në Kosovë, nis që nga viti 1922, ndërkaq Federata e Futbollit e Kosovës ka ekzistuar që nga viti 1946.

“Qëllimi kryesor ka qenë që t’i tregojmë botës se Kosova nuk ka lindur sot në futboll dhe se ka një traditë që prej vitit 1922 dhe se është duke u bërë një padrejtësi e madhe politike që nuk lejohet Kosova të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare kualifikuese për kampionatet përkatëse”, rikujton Salihu.

Në anën tjetër, seleksionuesi i përfaqësueses së futbollit të Kosovës, Albert Bunjaki, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndeshja e të përzgjedhurve të tij me përfaqësuesen e Haitit, të mërkurën, mund të krahasohet në mënyrë simbolike, sikur hapi i parë në një garë të vrapimit në 10 mijë metra.

“Është moment i mirë i një fillimi të mirëfilltë, për të cilin unë them se edhe ai vrapimi në 10 mijë metra, fillohet me hapin e parë. I bie që ky është hapi i parë yni. Në aspektin sportiv, kam pasur tubimin me shtabin teknik dhe ne e kemi diskutuar që duhet t’i lëmë mënjanë emocionet - e emocione kemi të gjithë, sepse po e kuptojmë rëndësinë e ndeshjes dhe po e përjetojmë ambientin”.

“Mirëpo, për ne është përgjegjësi morale, por edhe sportive, që ta para-përgatisim një përfaqësuese, një kombëtare shumë të mirë për të ardhmen, ku objektivi ynë është Kampionati Botëror (2018), për të cilin fillon kualifikimi në shtator të vitit 2016”, shprehet Bunjaki.

Seleksionuesi Bunjaki tashmë e ka bërë përzgjedhjen e lojtarëve për ndeshjen e së mërkurës me përfaqësuesen e Haitit, të cilën e ka publikuar të dielën.

Në përfaqësuesen e Kosovës, përveç një futbollisti që luan në super-ligën e Kosovës, të gjithë të tjerët janë futbollistë që luajnë në ligat e ndryshme të njohura evropiane.

Futbollistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në ndeshjen e të mërkurës me Haitin, janë:

Samir Ujkani (Palermo), Kushtrim Mushica (Prishtina), Julian Biberaj (Eintracht Frankfurt), Avni Pepa (Sandnes), Loret Sadiku (Helsingborg), Lum Rexhepi (Honka), Shkodran Metaj (Emmen), Shpëtim Hasani (Orebro), Ardian Gashi (Helsingborg), Anel Rashkaj (Sandnes), Fanol Perdedaj (Energie Cottbus), Enis Alushi (Kaiserslautern), Liridon Krasniqi (Fethiyespor), Enis Bunjaku (Eintracht Frankfurt), Faton Toski (Frankfurt), Flamur Kastrati (Stromsgodset), Albert Bunjaku (Kaiserslautern), Iliz Azemi (Greuther Furth), Alban Bunjaku (Sevilla), Bersant Celina (Manchester City), Kristian Nushi (FC St Gallen).

(Lista ka arritur me 21 emra, pavarësisht që ishte paralajmëruar se i ka 22).

Seleksionuesi Bunjaki vlerëson se në përbërjen e përfaqësueses së Kosovës ka emra që janë mjaft të respektuar në vendet dhe klubet, në të cilat aktualisht janë të angazhuar.

“Ka lojtarë të kualitetit. Nëse i përmbledhim këta lojtarë, atëherë del se këta lojtarë kanë luajtur rreth 300 lojë ndërkombëtare, prej U 15 (përfaqësuese e përbërë me lojtarë deri në 15 vjet) deri në A., që do të thotë se kanë eksperiencë. Unë mund të them se ky ekip që do të prezantohet të mërkurën, një përqindje e mirë e këtij ekipi, jam i sigurt se do të jenë në kampionat botëror, në kualifikime”, potencon Bunjaki.

Ndeshja ndërmjet përfaqësueseve të Kosovës dhe Haitit, të mërkurën do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në orën 15.
XS
SM
MD
LG