Ndërlidhjet

Partia e Vuçiqit fiton zgjedhjet në Serbi


Beograd
Beograd
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Serbi tregojnë fituese Partinë Përparimtare Serbe, me në krye Aleksandar Vuçiqin.

Sipas të dhënave që transmetojnë mediat serbe, kjo parti ka fituar 48.8 për qind të votave, përkatësisht 157 mandate.

Komisioni Qendror i Zgjdhjeve në Serbi ka bërë të ditur se pjesëmarrja e votuesve ka qenë 53.2 për qind.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë 19 parti dhe koalicione, të cilat kanë garuar për 250 vendet e parlamentit.

Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.7 milionë njerëz.

Zgjedhjet e parakohshme në Serbi janë zhvilluar gati dy vjet pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare që janë mbajtur më 12 maj të vitit 2012.

Ato janë thirrur nga partia që ka qenë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe, e cila, sipas analistëve, ka shpresuar të rrisë mbështetjen publike pas hapjes së suksesshme të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Udhëheqësi i kësaj partie, Aleksandar Vuçiq, u është drejtuar gazetarëve pasi ka votuar.

“Pres që reformat, vendet e reja të punës dhe lufta kundër korrupsionit të jenë çështjet kryesore për ne pas zgjedhjeve”, ka thënë Vuçiq.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Serbi do të publikohen më 20 mars. (v.tela)
XS
SM
MD
LG