Ndërlidhjet

Maqedoni: Parashikimet për rritje ekonomike, sektoriale


Ilustrim
Ilustrim
Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, vlerëson se Maqedonia për këtë vit pritet të shënojë rritje të Bruto-Prodhimit Vendor prej 3.7 për qind, duke apostrofuar ngjarjet ndërkombëtare dhe posaçërisht krizën në Ukrainë dhe marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe aleatëve perëndimorë, si faktorë që mund të kenë impakt në shifrat e planifikuara për zhvillimin ekonomik në Maqedoni.


Por, ish-ministri i ekonomisë, Zoran Vitanov, projeksionin e parashikuar nga Banka Popullore e Maqedonisë e ka cilësuar si “sintetik”, meqë vlerat e prezantuara, sipas tij, kanë të bëjnë vetëm me disa sektorë të ekonomisë, me theks të veçantë xehetaria dhe jo ekonominë në përgjithësi, duke lënë jashtë këtyre parametrave industrinë e lehtë dhe atë të ushqimit.

“Qeveria nuk jep të dhëna të rrejshme, por do theksuar se Qeveria manipulon gjatë prezantimit të të dhënave. Pra, thuhet se kemi rritje të Bruto Prodhimit Vendor dhe njëkohësisht nuk jepet asnjë analizë si janë arritur këto vlera. Dhe, nga ana tjetër, opozita nuk është e fokusuar që të zbërthejë këta trika që i prezanton pushteti”, thotë Vitanov, duke theksuar se thjesht këto shifra janë në funksion të fushatës.

Edhe drejtori për Zhvillim në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Arben Halili, duke komentuar paralajmërimet e Bankës Popullore për rritje ekonomike, thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në njërën anë, dhe zhvillimet botërore, në anën tjetër, lënë shumë pak hapësirë për të shpresuar për zhvillimin e biznesit.

“Këtu kemi edhe një shifër tjetër, e cila prezantohet ‘heshtazi’ siç është inflacioni për vitin 2014, i cili pritet të jetë 2.3 për qind dhe nëse këto dy të dhëna i vendosim në ekuacion, në njërën anë inflacion prej 2.3 për qind dhe rritjen ekonomike prej 3.7 për qind, atëherë që në start del se kemi të bëjmë me një rritje reale të BPV-së jo më shumë se 1.4 për qind, pra nëse flasim për rritje reale”, pohon Halili.

Ai thekson se për të pasur rritje të mirëfilltë ekonomike, duhet investuar në përmirësimin e infrastrukturës, si dhe krijimin e kushteve më të volitshme për zhvillimin e biznesit të kompanive vendore, ashtu siç bëhen lehtësime ndaj kompanive të huaja, duke përfshirë të gjithë sektorët në formë të barabartë.

“Përmirësimi i gjendjes ekonomike, fatkeqësisht, vazhdon të matet përmes një ose dy sektorëve. Këtu do të fokusoja ndërtimtarinë që përmes realizmit të projekteve të ndryshme, angazhuan një fuqi punëtore gjatë vitit të kaluar. Por, natyrisht të gjithë qytetarët nuk janë të angazhuar në ndërtimtari. Kuptohet se ka edhe shumë sektorë të tjerë që kërkojnë një përkujdesje, gjegjësisht impuls financiar”.

”Do të fokusoja sektorin e bujqësisë, për të cilin ndahen qindra mijëra euro, përkatësisht për vitin 2014 janë paraparë 160 milionë euro për subvencione në bujqësi, mirëpo e keqja është se këto mjete nuk përdoren për qëllimin, për të cilin destinohen”, shpjegon Halili.

Ekspertët theksojnë se për të ndjerë qytetarët rrjedhën pozitive të zhvillimit të ekonomisë së vendit, atëherë Maqedonia duhet të shënojë rritje të Bruto Prodhimit Vendor prej 8 deri 9 për qind, që t`i afrohet standardit të vendeve të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG