Ndërlidhjet

SHBA: Vendimi për Rusinë - në ditët e ardhshme


Shtetet e Bashkuara thonë se gjatë “ditëve të ardhshme” do të vendosin nëse do të imponohen sanksione të reja kundër Rusisë, nëse Moska nuk bën përpjekje për implementimin e marrëveshjes së nënshkruar në Gjenevë, javën e kaluar.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se Shtetet e Bashkuara presin që Rusia publikisht t’i ftojë separatistët pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës, që të largohen nga ndërtesat, të cilat i kanë okupuar dhe të tërhiqen nga pikat e kontrollit që i kanë ngritur.

Kjo kërkesë ishte bërë gjatë bisedës telefonike ndërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.

“Sekretari ka kërkuar nga Rusia që të ndërmarrë hapa konkretë për ta ndihmuar implementimin e marrëveshjes së Gjenevës, përfshirë thirrjen publike për separatistët që t’i lirojnë ndërtesat ilegale dhe pikat e kontrollit, ta pranojnë amnistinë dhe t’i paraqesin për diskutim shqetësimet e tyre".

"Ai, po ashtu, i ka bërë thirrje Rusisë që ta caktojw një diplomat të lartë, për të punuar me misionin e OSBE-së në pjesën lindore të Ukrainës, për ta bërë absolutisht të qartë për separatistët, se Rusia e mbështet marrëveshjen dhe dëshiron ulje të tensioneve”,
tha Jen Psaki, para gazetarëve në Uashington.

Më tutje, ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara brenda “disa ditësh” do të vendosin nëse Rusia ka bërë apo jo përpjekje për implementimin e deklaratës, e njohur si Marrëveshja e Gjenevës.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i bëri thirrje Uashingtonit, që ta shfrytëzojë ndikimin e vet për të bërë presion në autoritetet e Ukrainës, të mbështetura nga perëndimi, për implementimin e Marrëveshjes së Gjenevës.

Ministria e Jashtme e Rusisë, nëpërmes një deklarate, tha se Lavrov ka kërkuar që Kerry të bëjë presion ndaj autoriteteve të Ukrainës, për t’i goditur ultra-nacionalistët dhe t’i parandalojë “kokat e nxehta” nga provokimi i ndonjë konflikti.

Marrëveshja e Gjenevës është arritur më 17 prill, ndërsa pos John Kerryt dhe Sergei Lavrovit, në këtë takim patën marrë pjesë edhe zyrtarët e lartë të Ukrainës dhe të Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje kërkon që të gjitha grupet e armatosura ilegale në Ukrainë të çarmatosen dhe të gjithë protestuesit ta përfundojnë okupimin e ndërtesave publike.

Rusia dhe aktivistët pro-rusë në Ukrainë thonë se kjo i përfshin nacionalistët ukrainas dhe grupet properëndimore.

Deri tash raportohet se është bërë pak progres në implementimin e marrëveshjes, për shkak të tensioneve të larta lidhur me okupimin e qyteteve në pjesën lindore të Ukrainës nga ana e militantëve pro-rusë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është ngarkuar me mbikëqyrjen e implementimit të pajtueshmërisë së arritur në Gjenevë.

Një ndërmjetësues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) e ka mbajtur takimin e parë me separastistët pro-rusë në qytetin Sllovjanks, në pjesën lindore të Ukrainës.

Ndërmjetësuesi i OSBE-së, Mark Etherington, tha se është takuar me personin Vyacheslav Ponomaryov, në Sllovjansk.

“Ne posa e kemi përfunduar një takim dyorësh me zotin Ponomaryov, i cili siç kuptuam, është njëri nga liderët e grupeve të armatosura në këtë qytet. Ne diskutuam katër çështje: e para - nëse ai dhe grupet që i udhëheq do të bashkëpunojnë me parimet e deklaratës së Gjenevës, pastaj vend ndodhja dhe rrethanat e të burgosurve, përfshirë ish-prefektin, Nelya Shtepa, çështja e tretë ishte dyshimi për keqtrajtimin e minoritetit rom në Sllovjansk dhe në fund, incidenti me të shtëna në këtë qytet më 20 prill”, u shpreh Etherington.

Në deklaratën e tij para gazetarëve, ndërmjetësuesi i OSBE-së nuk dha komente nëse Ponomaryov, dhe aktivistët e tjerë pro-rusë, ishin të gatshëm të çarmatosen dhe për t’i liruar ndërtesat e administratës publike, siç kërkohet me marrëveshjen e Gjenevës.

Nga ana tjetër, gjatë një konference për shtyp, Ponomaryov tha se në Sllovjansk nuk gjendet asnjë përfaqësues i ushtrisë së Rusisë ose i shtetit të Rusisë.

Lidhur me takimin me përfaqësuesin e OSBE-së, ai theksoi:

“Bisedime...nuk do të thosha se ishin bisedime, ne vetëm u takuam. Ne e kemi shprehur pikëpamjen tonë për atë që po ndodh dhe ne i dëgjuam sugjerimet e tyre. Ne vendosëm se do të vazhdojmë të punojmë”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG