Ndërlidhjet

Shërbimet financiare në Postën e Kosovës, të nevojshme


Mundësia e shërbimeve financiare jo bankare në Postën e Kosovës, është vendim i duhur dhe njëherësh lehtëson jetën e klientëve, të cilët duhet të paguajnë fatura të shërbimeve publike por edhe të biznesit.

Nga dita e enjte, në zyrat postare, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të kryejnë pagesa për të gjitha llojet e faturave: për energji, ujë, pagesat e tatimeve dhe kontributeve për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), tatimin në pronë për të gjitha komunat, pagesat e regjistrimit të automjeteve dhe të gjitha pagesat e studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Ekspertët për çështje ekonomike e konsiderojnë vendim të nevojshëm këtë projekt.

Muhamet Sadiku
thotë se çdo projekt që realizohet në kuadër të fuqizimit të tregut financiar, transaksioneve si në realizimin e pagesave të faturave, është pozitiv.

Kjo në një mënyrë, sipas Sadikut, paraqet konkurrencë për bankat komerciale, pasi në këto institucione tarifat për shërbimet bankare janë shumë të shtrenjta.

“Edhe ulja e kostos së transaksioneve është e rëndësishme. Kjo në një mënyrë është e rëndësishme, e fuqizon konkuurencën, kjo do të bënë trysni edhe te bankat komerciale që të fillojnë të mendojnë si rrezik për uljen e kostos se transaksionit, prandaj besoj se është një lajm i mirë”,
shprehet Sadiku.

Edhe Ismail Kastrati e konsideron projekt të qëlluar, edhe pse sipas tij, është i vonuar.

“Unë mendoj se ky është shumë i nevojshëm dhe është pak i vonuar, por megjithatë e jep kontributin e nevojshëm për qytetarët. Pikërisht për shkak të kohëzgjatjes së dhënieve së shërbimeve", thekson Kastrati.

Disa qytetarë në Prishtinë e mirëpresin mundësinë e ofrimit të shërbimeve financiare jo bankare në Postën e Kosovës.

Valentina Thaçi, punon në sektorin publik deri në orën 16:00.

Ajo thotë se vazhdimisht është përballur më problemin e pagesave të faturave për shkak se shumica e bankave komerciale mbyllen deri në 17:00 dhe radhët e gjata, sipas saj, kanë qenë arsye që shumë herë të mbesë pa paguar faturat e nevojshme.

Ajo madje ankohet për tarifat e larta që aplikojnë bankat komerciale në vend.

“ Kjo është një lehtësi për ne që punojmë deri pasdite, pasi pas orarit të punës mund të paguajmë edhe faturat e shërbimeve publike. Po ashtu, e rëndësishme është se provizionet për pagesat në bankë, janë shumë të larta, 1.5 euro për një faturë, kurse Posta ofron kosto më të ulët. Ndërkaq, zyrtarët postarë punojnë edhe gjatë vikendit", thotë Thaçi.

Ndryshe, udhëheqës të Postës së Kosovës, kanë thënë se provizionet për pagesa të faturave në Postë është më i ulët se në institucionet tjera, ndërkaq për faturat e energjisë elektrike dhe ujit nuk paguhet fare provizion.

Në Kosovë e ekzistojnë 155 zyre postare të cilat gjatë gjithë javës janë të hapura deri në orën 21:00.
XS
SM
MD
LG