Ndërlidhjet

Maqedoni: Protestë për të shprehur pakënaqësitë



Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve e ka shënuar me ngritjen e stendave në sheshin “Maqedonia” në Shkup, me ç’rast është mbajtur dhe edhe një seancë solemne.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski, duke prezantuar punën e sindikatës në funksion të realizimit të kërkesave të punëtorëve, ka veçuar bashkëpunimin, siç ka thënë ai, të shkëlqyeshëm me Qeverinë dhe përmirësimin e dialogut social, ku para se ai të vijë në këtë funksion ka qenë shumë i dobët.

“ Nga viti 2010 e këndej kemi arritur të ndikojmë në miratimin e disa ligjeve që janë me shumë interes për të drejtat e punëtorëve, përfshirë këtu dhe sigurimin e pagës minimale. Ndërkohë, kemi implementuar 18 direktiva evropiane në ligjet e Maqedonisë që prekin të drejtat e punëtorëve. Ndërkaq, edhe në kushte kize nuk lejuam që të ketë largime nga puna dhe ulje të rrogave. Ndryshe nga tërë bota që për një Maj organizohen protesta, në Maqedoni gjërat mund të rregullohen edhe nëpërmjet dialogut e jo protestave”, është shprehur Mitrevski.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohen organizatat e tjera sindikaliste, sipas së cilave, tashmë 20 vjet është bërë trysni për përçarjen e sindikatave, duke zbehur fuqinë e tyre të veprimit.

Marjan Ristevski nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë, thekson se në Maqedoni është rrënuar organizimi sindikal duke e degraduar në vazhdimësi veprimin e tyre në funksion të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.

“Një nga detyrat kryesore të konfederatës është që t’i kthehet dinjiteti dhe vlera funksionit që e ka sindikata, sepse ajo sot është krejtësisht e degraduar dhe vlen për tallje”, thotë Risteski, duke theksuar se kjo gjendje duhet të ndryshohet sa më parë, sepse tashmë vihet në pikëpyetje dinjiteti i punëtorit.

Edhe lëvizjet majtiste “Solidarnost” dhe “Lenka” përmes protestave në qendër të Shkupit, i ka kanë bërë thirrje Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë që përfundimisht të vihet në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve.

“Përderisa shkelen të drejtat e punëtorëve, përderisa përmes ndryshimeve ligjore edhe më shumë ngushtohet hapësira e të drejtave të punëtorëve , njëkohësisht është në rritje varfëria dhe thellohet hendeku mes klasave, mënyra e vetme për të shënuar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, është përmes protestave”, thekson Zdravko Savevski, nga lëvizja majtiste “Solidarnost”.

Nga ana tjetër, Tamara Çausidis, nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve medial ka paraqitur kërkesa konkrete për punonjësit në media:

“ E dini, gjithmonë ka pasur bisedime mes sindikalistëve dhe qeverisë dhe premtime po asgjë konkrete nuk është realizuar. Andaj, kërkojmë që menjëherë të barazohet paga minimale në të gjitha sektorët, ndërsa punëdhënësit, për të cilët do të konfirmohet se nuk paguajnë pagë minimale drejtpërdrejt të dënohen, pa marrë paraprakisht ftesa për edukim”.

“Njëherësh do të kërkojmë të shfuqizohet procedura për pajtim, me të cilën kushtëzohet fillimi i grevës dhe e drejta e organizmit të grevës krahas anëtarëve të sindikatës, të ketë edhe punëtorë në ndërmarrje, si dhe respektim konsekuent të së drejtës për organizimit sindikal”
, ka deklaruar Çausidis.

Këto kërkesa sindikalistët kanë thënë se do t`ia dorëzojnë qeverisë së ardhshme menjëherë pas formimit të saj. Sindikalistët kanë përfunduar protestat e sotme para Qeverisë së Maqedonisë duke brohoritur “Kërkojmë të drejta sociale , barazi sociale , 1 Maj jeton”, etj.
XS
SM
MD
LG