Ndërlidhjet

Maqedoni: Konstituohet Parlamenti


Kuvendi i Maqedonisë (Fotot nga arkivi)
Kuvendi i Maqedonisë (Fotot nga arkivi)
Në kuadër të seancës së parë konstituive të përbërjes së re të tetë të Parlamentit të Maqedonisë, të cilën e ka hapur deputeti më i vjetër Stojan Millanov, janë verifikuar 123 mandatet për deputetë, duke përfshirë edhe 34 mandatet e opozitës maqedonase, LSDM e cila paraprakisht ka bërë të ditur se i refuzon të njëjtat.

Deputetët, të cilët refuzuan mandatet, sipas ligjit, duhet të japin edhe dorëheqje në Kuvend.

Nëse japin dorëheqjet dhe nëse shteret Lista e mandateve të deputetëve, atëherë sipas Kodit Zgjedhor, parashihen zgjedhje të reja parlamentare në ato zona zgjedhore prej nga vijnë deputetët.

Ndërkohë, me 87 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Trajko Veljanoski u rizgjodh kryetar i Kuvendit. Në fjalimin e tij para deputetëve Veljanoski i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend, që, sipas tij, paraqet “fushë mejdani” ku duhet zhvilluar beteja politike.

“Nga ky pozicion si kryetar parlamenti, bëj thirrje që të gjithë ne të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike dhe njëkohësisht nuk duhet lejuar që interesat personale të tejkalojnë respektin dhe përgjegjësinë që kemi ndaj Maqedonisë”.

“U bëj thirrje kolegëve nga opozita që të vijnë këtu dhe të funksionojnë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve, të vijnë këtu në Parlament që bashkërisht të punojmë, sepse demokracia nuk njeh formë tjetër të veprimit përpos debatit të argumentuar"
, u shpreh Veljanoski, i cili postin e kryetarit të Kuvendit e ushtron për të tretën herë me radhë.

Ndryshe, partitë politike, të cilat dolën fituese në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, BDI dhe VMRO DPMNE, përmes një deklarate me shkrim kanë bërë të ditur se kanë rënë dakord për formimin e qeverisë së re.

Në këtë deklaratë theksohet se “VMRO-DPMNE dhe BDI konform përcaktimeve programore dhe premtimeve të veta elektorale, vendosën që përparësi kryesore të veprimit të ardhshëm qeverisës, në periudhën që pason, të jenë integrimet euroatlantike si dhe zhvillimi ekonomik i vendit i shprehur përmes reformave dhe projekteve për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, vendeve të reja të punës dhe investimeve”.

”Në periudhën që pason, konform postulateve programore dhe të përcaktuara, sidomos deri në samitin e NATO-s dhe Këshillit të Ministrave të BE-së, përfaqësuesit e këtij grupi të punës rregullisht do t’i informojnë partitë për rezultatet e arritura dhe hapat e bërë, për masat dhe reformat e realizuara, në bazë të së cilës do të vendosen hapat e mëtejmë dhe veprimet e partive, të cilat formojnë qeverinë”
, thuhet në komunikatën e përbashkët nga BDI dhe VMRO DPMNE.

Paraprakisht, partia shqiptare, BDI, kishte theksuar se për të qenë pjesë e qeverisë, do të duhet të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, si një nga tri funksionet kyçe shtetërore, por jo zyrtarisht mësohet se në mbledhjen e mbrëmshme BDI ka vendosur t`i japë përparësi gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, integrimit të vendit në NATO dhe më pas kjo parti do të rishqyrtojë pozicionet mes partnerëve të koalicioni qeverisës.

Ndryshe, në seancën konstituive të Parlamentit të Maqedonisë krahas personaliteteve të larta nga jeta publike dhe fetare, si dhe kori diplomatik, ka marrë pjesë edhe presidenti i sapozgjedhur Gjorgje Ivanov, legjitimiteti i të cilit nuk njihet nga partia shqiptare BDI, e cila ka bojkotuar zgjedhjet presidenciale.
XS
SM
MD
LG