Ndërlidhjet

Projektet kapitale, peng i zgjedhjeve


Ilustrim
Ilustrim
A do të ketë ndryshime në projektet madhore që është paraparë të nënshkruhen apo të fillojnë nga mesi i këtij viti, pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme?

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se qeveria në largim nuk duhet të marr ndonjë vendim për projektet strategjike.

Ndryshe, sipas planave të qeverisë në largim, disa nga projektet që janë në proces, janë termocentrali “Kosova e Re”, ku nga mesi i këtij viti pritet të zgjidhet kompania fituese.

Po ashtu, në muajin qershor pritet të shpallet kompania fituese edhe për koncesionimin e kompleksit turistik “Brezovica”, kurse për autostradën Prishtinë - Shkup, është finalizuar kontrata dhe pritet nënshkrimi i saj më kompaninë fituese.

Ndërtimi i punëve në këtë autostradë vazhdimisht është premtuar se do të fillojë në pranverën e këtij viti.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj, thotë se në momentin e shpërndarjes se Kuvendit, qeveria në largim nuk të drejtë të marrë vendime madhore as politike dhe as ekonomike.

“Ka një standard që vendimet strategjike nuk merren gjatë kësaj periudhe transitore. Por, projektet të cilat janë nënshkruar para se Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet, dhe para se qeveria të mbetet teknike, sigurisht që ato projekte duhet të zbatohen sepse ne nuk guxojmë të krijojmë hendek të gjatë të zbatimit, sepse edhe ato projekte kenë një afatizim dhe kohë se kur duhet zbatuar dhe përfunduar", thekson Zogaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, thonë se për realizimin e projekteve të mëdha duhet të pritet formimi i institucioneve të reja që do të dalin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Profesori i makroekonomisë, Naim Gashi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se praktikat parlamentare të vendeve demokratike tregojnë se projektet e mëdha strategjike nuk është mirë dhe zakonisht nuk vendosen në kohën e fushatës elektorale.

“Në aspektin ligjor ekziston një vakuum juridik, nuk është e përcaktuar se çka ka të drejtë dhe çka nuk ka një qeveri e cila është në fushatë zgjedhore. Meqenëse mungon një kornizë ligjore se çka ka të drejtë dhe çka jo, po thirrem në praktikat parlamentare të vendeve të botës, të cilat zakonisht qeveritë e vendeve në kohën kur caktohet data e zgjedhjeve ato vetëm i kryejnë shërbimet elementare për funksionimin normal të shtetit. Ndërsa sa i përket vendimeve strategjike qoftë ekonomike apo natyrave tjera, zakonisht lihen për legjislaturën e ardhshme", thotë Gashi.

Sidoqoftë, ka projekte që kanë filluar gati një dekadë, konkretisht Termocentrali “Kosova e Re”. Ky projekt është përcjellë me ndërrimin e disa qeverive, dhe secila nga to, ka bërë ndryshime në pakon tenderuese.

Ekspertë të kësaj fushe dhe të shoqërisë civile, vazhdimisht kanë shprehur shqetësimet e tyre, se ndryshimet nga qeveritë e reja, po ngadalësojnë realizimin e projekteve.

Lidhur më këtë, Naim Gashi konsideron se për projektet kapitale duhet të krijohet një konsensus nacional qoftë politik apo shoqërore, në mënyrë që ndërrimi i qeverive mos të reflektojë në projektet strategjike.

“Fatkeqësisht ky konsensus shoqëror për projektet te mëdha strategjike ka munguar dhe gjithmonë kur kemi mungesë të konsensusit politike për projekte strategjike, atëherë ndërrimi i qeverive mund të ndikojë edhe në ndërrimin e kahjeve të projekteve".

"Unë mendoj se qeveria e ardhshme duhet të vazhdojë me projektet ekzistuese, pasi është bërë një punë relativisht e madhe, sidomos me kompleksin 'Brezovica', pastaj me termocentralin Kosova e Re. Mendoi se do të ishte një humbje edhe sa i përket ekonomisë se vendit dhe shtetit në përgjithësi, nëse gjithçka kthehet nga pika zero”, thotë Gashi.

Edhe partitë opozitare i kanë kërkuar qeverisë në largim që të përmbahet nga marrja e vendimeve të mëdha si është kontraktimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, ndërtimi termocentralit dhe projekteve të tjera që janë në procedurë.

Ata kanë thënë se projektet e tilla mund të përdoren për fushatë zgjedhore.
XS
SM
MD
LG