Ndërlidhjet

Kosova pret përballjen me Turqinë dhe Senegalin


Ilustrim
Ilustrim
Federata e Futbollit të Kosovës dhe vetë përfaqësuesja e futbollit të Kosovës janë duke i përfunduar të gjitha përgatitjet për ndeshjen e dytë dhe të tretë miqësore ndërkombëtare.

Me lejen e Federatës Botërore të Futbollit - FIFA, me 21 maj, në Mitrovicë, Kosova do ta zhvilloj ndeshjen me përfaqësuesen e Turqisë, ndërkaq, takimi me përfaqësuesen e Senegalit, me 25 maj, pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se përkundër përpjekjeve për të përgatitur stadiumin e qytetit të Prishtinës për ndeshjen me Turqinë, kjo nuk është arritur.

“Dëshira ka qenë të luajmë në kryeqytet, por për këtë moment është e pamundur që ndeshja të zhvillohet aty. Ndeshja me Turqinë do të zhvillohet në Mitrovicë. Është i vetmi stadium aty që i plotëson kriteret minimale. Ne si federatë kemi investuar mjaft para. Fusha ka qenë problem, bari".

"Mendojmë se e kemi sjellë në një gjendje mjaft të mirë, ashtu siç i ka hije që të luhet një ndeshje e përfaqësueseve. Në anën tjetër, infrastrukturën përcjellëse do ta kryejmë së bashku me policinë dhe shërbimin e sigurimit, të cilin ne do ta caktojmë më vonë. Reprezentacioni i Turqisë do ta bëj një seancë stërvitore në orën 18, në mbrëmjen e datës 20 maj, në stadiumin e Prishtinës”, shprehet Salihu.

Salihu ka shtuar se për ndeshjen me Turqinë tashmë është e dukshme se ka mjaft interesim jo vetëm në Kosovë, por edhe në Turqi.

Federata e Futbollit të Kosovës pritet të mbajë takim me protokollin e shtetit, me Policinë e Kosovës dhe organizatorët nga stadiumi i Mitrovicës, për të sinkronizuar të gjithë hapat e nevojshëm për pritjen e tifozëve nga Turqia në mënyrë të duhur.

Sipas tij, edhe një numër i madh i politikanëve dhe biznesmenëve turq kanë shprehur dëshirën, për të përcjellë nga afër ndeshjen e futbollit ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Turqisë.

“Kemi pasur, para pak kohësh, kryetari Vokrri dhe unë, mbledhje në ambasadën e Turqisë, sepse do të vijnë shumë biznesmenë, njerëz të politikës. Pra, pritet me entuaziazëm (ndeshja) jo vetëm nga ana e jonë, por edhe e Turqisë, ndonëse Turqia ka pasur ndeshje shumë më të mëdha. Prandaj, besoj se jemi në rrugën e mirë që t’ia dalim dhe të bëjmë një organizim ashti siç i ka hije".

"Në anën tjetër, mos të harrojmë se përfaqësuesja e Kosovës do të qëndroj edhe dy ditë këtu (Kosovë) dhe pastaj do të udhëtojmë për Gjenevë, ku na pret ndeshja tjetër, me Senegalin, në të cilën presim shumë shikues nga diaspora jonë”, thotë Salihu.

Ai theksoi se ndeshja e përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Turqisë do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin publik në Kosovë, por edhe në televizionet e Turqisë.

Në anën tjetër, ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë është faza e fundit e përzgjedhjes, jo vetëm të formacionit që do të luaj me përfaqësuesen e Turqisë, por të gjithë skuadrës prej 23 lojtarëve, që do të jenë pjesë edhe e ndeshjes me Senegalin.

“Mendoj se jemi të kënaqur me gjithë punën që kemi bërë deri më tani edhe përkundër disa vështirësive që kemi pasur, ngase nuk është varur vetëm nga lojtarët për të ardhur (në Kosovë), por është varur edhe nga klubet, është varë edhe nga menaxherët e tyre, ngase kjo nuk është datë e FIFA-s".

"Prandaj, kemi probleme me disa lojtarë që nuk mund të jenë pjesë e përfaqësueses në këto dy ndeshje, pikërisht për shkakun se ata kanë ndeshje kampionate në shtetet ku luajnë. Sidoqoftë, ne kemi gjetur disa zëvendësime për këta lojtarë. Zakonisht, bëhet fjalë për lojtarë që i kemi në ligat skandinave, ku ata po luajnë në ato kampionate”, thekson Sahiti.

Ndihmës trajneri Sahiti tha se nga formacioni që ka luajtur në ndeshjen e parë, me Haitin, do të mungojnë kapiteni Anel Rashkaj, Loret Sadiku, Shpëtim Hasani dhe Ardian Gashi.

Këta do t’i zëvendësojnë futbollistët Beg Ferati, Albion Avdijaj dhe imran Bunjaku. Ndihmës trajneri Sahiti po ashtu ka theksuar se është duke u pritur konfirmimi i ardhjes së futbollistëve, Ardian Nikqi, Arlind Ajeti dhe Eroll Fejzullahu.

Të gjithë këta futbollistë, janë pjesë e klubeve të ndryshme evropiane.

Sahiti thotë se Kosova do ta ketë një përfaqësuese për çdo respekt, pavarësisht se sipas tij, përfaqësueset e Turqisë dhe Senegalit janë mjaft të forta.

“Ne i kemi parë edhe CD-të e këtyre dy kundërshtarëve. Kemi analizuar lojën e këtyre dy kundërshtarëve. Kemi lojtarë kundërshtarë që luajnë edhe në Ligën e kampionëve dhe kualiteti, përfundimisht, është në anën e tyre. Por, jo gjithmonë në futboll vendos kualiteti".

"Vendosin edhe faktorë tjerë, siç është ajo energjia pozitive që kanë lojtarët për t’i mbrojtur ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës. Ne e kemi motivin, e kemi energjinë dhe e kemi një skuadër, e cila, gjithsesi duan ta dëshmojnë veten, që edhe ne është dashur të jemi pjesë e këtyre ndeshjeve edhe më herët. Ne këtë do ta shfrytëzojmë maksimalisht”, thotë Sahiti.

Ndryshe, ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare, me lejen e FIFA-s, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës e ka zhvilluar me përfaqësuesen e Haitit, me 5 mars në stadiumin e Mitrovicës.

Ky takim ka përfunduar me rezultat të barabartë, zero me zero. Por, takimi me Haitin është parë si një moment kur është thyer izolimi i futbollit kosovarë, i cili tash e sa vite ka synuar daljen në skenën ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG