Ndërlidhjet

Parafushata zgjedhore shkel ligjin


Partitë politike janë duke keqpërdorur legjislacionin në fuqi pasi që po zhvillojnë fushatë elektorale ende pa u shpallur ajo zyrtarisht, thonë njohësit e proceseve zgjedhore.

Sipas tyre, ligji për zgjedhjet mund të ketë disa zbrazësi kur është në pyetje sanksionimi i para-fushatës, por megjithatë vlerësohet se parafushata nuk nënkupton zhvillimin e aktiviteteve të pastra zgjedhore të cilat i përkasin vetëm fushatës së paraparë me ligj.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se subjektet politike do të duhej të tregonin shembullin e respektimit dhe jo të shkeljeve ligjore.

"Kjo qasje e subjekteve politike e veçanërisht e partive në pushtet është sjellje që po keqpërdorë legjislacionin i cili është i aplikueshëm në Kosovë. Është e vërtetë që ky legjislacion që flet për procesin zgjedhor dhe elementet e fushatës nuk i ka përcaktuar edhe masat sanksionuese se çka nëse dikush fillon para-fushatën. Kjo mungesë e dispozitave të qarta ligjore iu ka dhënë mundësi subjekteve politike që ta keqpërdorin atë", ka thënë Selmanaj.

Ndërkohë, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se nuk ka vakum ligjor, por ka shkelje të ligjit me rastin e aktiviteteve parazgjedhore apo para-fushatës.

Ai i vë përgjegjëse edhe organet kompetente për organizimin e zgjedhjeve që nuk aplikojnë rregullore për të sanksionuar veprimet e tilla të subjekteve politike.

"Nuk ka vakum ligjor. Është gabim argumenti që ka dhe po ndjek PZAP-ja (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashteresa) për faktin që një interpretim i logjikshëm i ligjit tregon që ajo çfarë është e lejuar specifikisht me fillimin e fushatës zgjedhore është e ndaluar logjikisht në momentin kur shpallet dita e zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës zgjedhore. Kështu që një interpretim logjik i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme lë të kuptosh se në kohën e para fushatës nuk lejohet propagimi politik", ka vlerësuar Korenica.

Një element tjetër që vëzhguesit e vërejtjen tek parafushata e hershme zgjedhore në Kosovë është edhe përdorimi i aseteve publike për nevoja të fushatave të partive politike.

Fisnik Korenica thotë se përdorimi i aseteve publike në shërbim të kërkesës së votave e dëmton standardin e demokracisë në vend.

"Shfrytëzimi i çfarëdo aseti publik, përfshi makinat, ambientet zyrtare për qëllime të propagandës politike, shpalosjes së sloganeve zgjedhore për kërkimin implicit të votës, përbën gjithashtu shkelje të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe e dëmton thellësisht integritetin dhe standardin e demokracisë së këtij procesi zgjedhor", ka theksuar Korenica.

Ngjashëm me parafushatën ashtu edhe përdorimi i aseteve publike në funksion të marrjes së votave për partitë politike tregon për nevojën që ka saktësimi dhe sanksionimi me ligj i këtyre veprimeve, thotë në anën tjetër Driton Selmanaj.

Ai pret që legjislatura e ardhshme të ndërmarr diçka në këtë drejtim në mënyrë që procesi zgjedhor të mos mbetet një hapësirë e palimituar për partitë politike në zgjedhje.

"Aktivitetet e fushatës elektorale, sidomos nga partitë në pushtet, ato po abuzojnë edhe me resurset publike, sepse qoftë makinat, qoftë elementet tjera që janë pjesë e ushtrimit të detyrave shtetërore ata po i vënë në funksion të fushatës për subjektin e tyre të caktuar. Andaj mendoj se definitivisht janë të domosdoshme normat sanksionuese të cilat do t'i dënojnë të gjithë ata që fillojnë fushatën para kohe dhe e dyta zbuzojnë me resurset publike", shprehet Selmanaj.

Partitë politike janë përfshi në një lloj parafushate për më gjatë se një muaj.

Këto aktivitete nganjëherë marrin edhe formën e fushatës, e cila sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon zyrtarisht më 28 maj dhe do të zgjasë vetëm 10 ditë.
XS
SM
MD
LG