Ndërlidhjet

VOX: Të rinjtë ndëshkojnë dhe shpërblejnë në votime


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Të rinjtë kosovarë me interesim po e përcjellin fushatën elektorale të partive politike dhe thonë se më 8 qershor do të dalin të votojnë.

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radio Evropa e Lirë, disa të rinj dëshirojnë që partia që merr pushtetin në mandatin e ardhshëm, të sjellë ndryshime pozitive në të gjitha aspektet.

Madje, sipas tyre, e rëndësishme është se qytetarët kosovarë tashmë janë vetëdijesuar se në zgjedhje dinë të ndëshkojnë dhe të shpërblejnë.

Njëri nga ta është Gurakuq Kuçi nga komuna e Pejës, i cili ka përfunduar studimet në degën e Shkencave Politike, dhe tashmë studion për gazetari. Gurakuqi, thotë se do të votojë pasi është obligim edhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Në zgjedhje, më 8 qershor, sigurisht që do të dal për shkak se është obligim qytetar. Do të jetë mirë pasi do të vlerësohet programi më i drejtë. Pra, programit që është i drejtë, t’i jepet mundësia që të avancohet kundrejt programeve që janë më pak valide, nuk do të thotë se janë të këqija”.

“Partitë politike e kanë kuptuar që qytetarët e kanë arritur një stad demokratik të vetëdijesimit që të punojnë më shumë, sepse i pret ndëshkimi. E kemi rastin edhe të zgjedhjeve të fundit lokale. Dhe, për këtë arsye mendoj se këto zgjedhje do të jenë më serioze”
thotë Gurakuqi.

Ndryshe, edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, u ka bërë thirrje të rinjve që të dalin në zgjedhje. Vota e të rinjve është shumë e rëndësishme, ka thënë ajo, pasi zgjedhjet nacionale janë për një mandat katërvjeçar dhe kjo nënkupton se njerëzit e zgjedhur do marrin vendime, siç ka thënë Jacobson, për të ardhmen tuaj dhe të vendit.

Adelina Kastrati, studente në departamentin e Gjuhës Angleze në Fakultetin Filologjik, thotë do të dalë në zgjedhje, por nuk beson shumë në realizimin e të gjitha premtimeve të dhëna nga partitë politike. Megjithatë ajo shpreson se ndryshimet do të pasojnë:
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00
Shkarko

“Po do të dal... Shpresoj se Kosova do të përparojë, edhe pse premtimet në fund nuk realizohen plotësisht. Por, duhet të dilet në votime, sepse qytetarët e formojnë qeverinë”.

Edhe shoqja e Adelinës, Fatbardha, që studion po ashtu në Departamentin e Gjuhës Angleze, pret krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ndryshime më të mira në krejt sferat e jetës. Të rritet standardi i jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Shpresoj që t’i përmbushin premtimet e dhëna”, pohon Fatbardha.

Ndryshime pozitive në sektorë të ndryshëm pas zgjedhjeve kërkon edhe i riu tjetër nga Malisheva, Halil Morina, i cili studion Mjekësinë Veterinare në Universitetin e Prishtinës.

“Po, do të dal në zgjedhje, secili qytetar duhet të dalë që të përkrahë ndonjë parti të caktuar. Presim ndonjë ndryshim. Këto zgjedhje do të rezultojnë me ndërrimin e njerëzve. Premtimet e deritashme, mund të realizohen nga cilado parti që vjen në pushtet. Por, për momentin njerëzit janë shumë të korruptuar, kanë luks shumë të madh dhe nuk mendojnë për qytetarët”, shprehet Halili.

Ardita Abazi, nga Prishtina studion në Fakultetin Ekonomik. Ajo thotë se do të dalë në zgjedhje dhe shpreson se partia që fiton ta luftojë korrupsionin.

“Do të dal në zgjedhje. Shpresoj se do të përmirësohen kushtet për studentët dhe për të gjithë njerëzit. Por, konkretisht lutem që partia që fiton ta luftojë korrupsionin, sepse kjo dukuri i ka krijuar imazh të keq Kosovës”, thekson Ardita.

Ndryshe, nga të tjerët, Bujar Krasniqi, student në Fakultetin Ekonomik nuk do të dalë në zgjedhje, pasi nuk i beson asnjë partie politike. Ai thotë se partitë politike vazhdimisht premtojnë, por me marrjen e pushtetit, premtimet harrohen.

“Nuk i besoj asnjë partie politike, sepse punojnë vetëm për interesa personale dhe jo për qytetarët. Premtimet janë shumë të mëdha, këto nuk mund të realizohen, por edhe shpejt harrohen”, thotë Bujari.

Behar Musliu
punon si kamerier në një lokal në qendër të Prishtinës. As Behari nuk u beson aspak premtimeve të subjekteve politike, por megjithatë në zgjedhje do të dalë për të përmbushur obligimin qytetar.

“Unë nuk u besoj partive politike. Këta nuk punojnë si duhet, vjedhin të gjithë dhe nuk pres ndonjë ndryshim”, pohon Behari.

Edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara, qoftë ato qendrore apo komunale, në programet e partive politike kanë figuruar edhe problemet e të rinjve dhe zgjidhja e tyre.

Ndërkaq, në këtë fushatë partitë politike kanë premtuar edhe përmirësime dhe lehtësime financiare për studentët.
XS
SM
MD
LG