Ndërlidhjet

Maqedoni: Qeveria e re pa shumë befasi


Qeveria e Maqedonisë (Foto nga arkivi)
Qeveria e Maqedonisë (Foto nga arkivi)
Përderisa 8 qershori paraqet afatin e fundit kur mandatari Nikolla Gruevski duhet të paraqesë para Parlamentit programin dhe përbërjen e re qeveritare, VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja kanë taktizuar deri në moment të fundit me emrat dhe dikasteret ministrore, edhe pse ndryshimet do të jenë minimale, si për postet, ashtu edhe për emrat që do të qeverisin me to.

Ndryshimi i vetëm ka të bëjë me atë se partia shqiptare, BDI, pjesë e koalicionit qeveritar, do të heqë dorë nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të drejtojë Ministrinë e Arsimit.

Partia shqiptare, krahas Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, do të do të qeverisë edhe më tej me diaksterin e euro-integrimeve, ekologjisë, ekonomisë dhe drejtësisë.

Ndërkohë, kryeministri Nikolla Gruevski edhe më tej u ka besuar kuadrove të deritashëm detyrën për të drejtuar dikasteret më të rëndësishme, si ajo e punëve të brendshme, politikës së jashtme dhe financave.

Albert Musliu, nga Iniciativa për Zhvillime Demokratike, duke komentuar përzgjedhjen e kuadrit që do të udhëheqë me ministritë përkatëse, thekson se garimi me ekipin e njëjtë nuk është aq i rëndësishëm sa platforma qeveritare veçanërisht sa i përket procesit të zhbllokimit të procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Sa i përket ndarjes së dikastereve ministrore, gjegjësisht këmbimi që është bërë mes ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Arsimit, unë mendoj se kjo lëvizje nuk është e keqe duke pasur parasysh problemet që u shfaqën gjatë mandatit të kaluar rreth realizmit të disa të drejtave të shqiptarëve që lidhen me çështjet e arsimit".

"Ndërkaq, rreth zhbllokimit të procesit të integrimit, unë dhe nga natyra jam optimist, por dhe me vetë faktin se koha më e madhe është shpenzuar në harmonizimin e platformave politike në një platformë qeveritare dhe shumë më pak në ndarjen e posteve qeveritare, kjo më bën të shpresoj se korniza e përgjithshme do të jetë ajo, e cila do të zhbllokojë proceset, veçanërisht ata të integrimit në NATO dhe BE, që janë të bllokuara më gjatë" , vlerëson Musliu.

Por, politikologu maqedonas, Nikolla Dujovski, thotë se nga kjo përbërje qeveritare nuk pret asgjë të re sa i përket politikave qeveritare, si në plan të brendshëm ashtu dhe në atë të jashtëm.

“Çështja e kontestit të emrit mbetet e betonuar, pra nuk pres ndonjë lëvizje të dukshme pozitive në këtë drejtim. Qëndrimet e BDI-së se pret zgjidhje për disa muaj, unë do t'i kisha cilësuar si shprehje deklarative nga ana e kësaj partie, e cila që nga 2011-ta, drejton dikasterin e euro-integrimeve dhe nuk ka arritur të ndikojë në partnerin e koalicionit, VMRO DPMNE, që të ndryshojë qëndrimin lidhur me këtë çështje. Kështu që, e theksoj asnjë ndryshim në skenën politike nuk do të sjell qeveria e re e drejtuar për herë të tretë nga kryeministri Nikolla Gruevski, përpos që kësaj radhe do të mungojë opozita në Parlament”, thekson Dujovski.

Ndryshe, pas dorëzimit në Parlament të propozimit të programit për formimin e qeverisë nga ana e mandatarit Nikolla Grueveski , kreu i këtij institucioni Trajko Veljanovski ka në dispozicion 15 ditë për të caktuar seancën, në të cilën do të miratohet programi dhe përbërja e re qeveritare.
XS
SM
MD
LG