Ndërlidhjet

Tirana shton përpjekjet për integrime evropiane


Kryministri shqiptar Edi Rama është takuar me presidentit francez Fransua Hollande, në kuadër të lobimit për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Pas takimit me presidentin francez, kryeministri Rama tha se ishte” një takim përtej pritshmërive”.

“Takimi me Presidentin i kaloi pritshmëritë tona. Ishte një takim shumë i hapur, shumë miqësor, shumë i drejtpërdrejtë. Patëm mundësinë të shtjellojmë në gjithë përmasat e veta, domosdoshmërinë që ka sot Shqipëria dhe Ballkani për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Por, edhe domosdoshmërinë që ka Bashkimi Evropian për të kuptuar se sa të nevojshëm e ka Shqipërinë dhe Ballkanin”, tha pas takimit kryeministri Rama.

Edhe gjatë intervistës në emisionin francez “Le Grand Soir 3”‏, kryeministri Rama theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është Evropa.

Të njëjtin qëndrim kryeministri shqiptar ka reflektuar edhe gjatë një bisede në Institutin francez për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në vizitën e tij në Francë, kryeministri Rama është shoqëruar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Në kuadër të vizitave lobuese në vendet skeptike që refuzuan dhënien e statusit në muajin dhjetor të 2013 ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka shkuar në Holandë e Britaninë e Madhe ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të politikës vendase.

Theksi i këtyre takimeve, ishin reformat që po ndërmerren në funksion të zhvillimit të vendit dhe progresit në agjendën evropiane.

Edhe kryetari I Partisë Demokratike Lulëzim Basha ka zhvilluar një takim me ambasadorët e BE në Tiranë.

Pas takimit ai është shprehur se "mesazhi që ju përcoll vendeve anëtare përmes të dërguarve të tyre në Tiranë ishte se opozita shqiptare mbështet pa kushte marrjen e statusit kandidat”.

Në dhjetor të vitit të kaluar 5 vende, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka refuzuan t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE.

Vendimi për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat nga Shqipëria do të merret në fund të muajit qershor në një takim të nivelit të lartë të vendeve të BE-së.
XS
SM
MD
LG