Ndërlidhjet

15 vjet nga hyrja e NATO-s në Kosovë


Të enjten u bënë 15 vjet kur në Kosovë zbarkuan trupat e parë të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

Kjo ditë shënon hapjen e një kapitulli të ri për popullin e Kosovës, një epokë të zhvillimit, përparimit për vendin dhe dinjitetin e barazisë qytetare, pa dalim, thonë udhëheqës të shtetit dhe ekspertë për çështje sigurie.

Që atëherë, 12 qershori kujtohet si Dita e Lirisë se Kosovës nga agresioni serb.

Më këtë rast, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në një deklaratë për media, thotë se "sot shënojmë 15 vjetorin e ditës më të rëndësishme të historisë më të re për Kosovën, ditën kur përfundimisht iu dha fund shtypjes, dhunës dhe gjenocidit dhe ditën kur u hap një kapitull i ri për popullin e Kosovës".

"Në këtë ditë, me respekt të thellë kujtojmë të gjithë ata që bënë sakrificën sublime që ne sot të jemi të lirë dhe të pavarur, të gjitha gjeneratat që punuan për lirinë e vendit, që kulmoi me luftën e popullit për çlirim nën udhëheqjen e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës", ka thënë presidentja Jahjaga.

Ajo shtoi se "jemi krenarë dhe shprehim falënderim të thellë për angazhimin në Kosovë të burrave dhe grave, të ushtarëve dhe eprorëve të Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe sidomos të ndihmës së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionet e ndryshme në Kosovë".

Në anën tjetër, ekspertët e çështjeve të sigurisë, konsiderojnë se trupat e NATO-s kanë arritur që të përmbushin qëllimin kryesor, vendosjen e rëndit dhe ligjit, përkatësisht stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Siguri, për Radion Evropa e Lirë thotë se objektivat strategjike të NATO-s janë përmbushur, kurse prania e tyre në Kosovë, tashmë bën vetëm siguri në aspektin psikologjik.

Ai megjithatë, thekson se trupat e KFOR-it në Kosovë gradualisht duhet të zvogëlohen varësisht nga situata, kurse trashëgimtarë të tyre duhet të jenë Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Prania e të cilit është shumë e nevojshme edhe se paku pesë deri në gjashtë vite. Mendoj se viti 2020 duhet të jetë viti kur KFOR-i ose duhet të ketë një prezencë shumë simbolike, të ofrojë siguri në aspektin psikologjik".

"Tërheqja e KFORI-t duhet të bëhet në kontest të rrethanave të reja që janë bërë në Kosovë, e këto janë shtet ndërtimi dhe përkatësisht krijimi i Forcave të Armatosura të cilat duhet të jenë trashëguese të misionit të mbrojtjes, pra misionit të NATO-s”, thekson Qehaja.

Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe.

Ndërkohë, analisti tjetër i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, thotë se intervenimi i NATO-s dhe vendeve të tjera që përfaqësohen në KFOR, ishte i domosdoshëm për lirinë e Kosovës, kurse prania e këtyre trupave edhe tani është e domosdoshme për një gjendje normale, sigurisë, qetësisë si dhe ruajtjes se kufijve të Kosovës.
Musliu shprehet se misioni kryesor i trupave të NATO-s tashmë është trajnimi i pjesëtareve Forcës se Sigurisë se Kosovës.

Ky do të ishte një ndër mandatet dhe misionet kryesore në arritjen e misionit të qytetarëve të Republikës se Kosovës. Por, unë e shoh NATO-n, respektivisht KFOR-i duhet të qëndrojë në territorin e Republikës se Kosovës, minimum deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, disa qytetarë i quajnë shpëtimtarë trupat e NATO-s, tashmë duke kujtuar zbarkimin e tyre në Kosovë.

Blerta Gashi, studente në Universitetin e Prishtinës, e quan të pabesueshme momentin e hyrjes se forcave ndërkombëtare në Prishtinë

Dymbëdhjetë qershorin e kujtoj se kam qenë në Shqipëri, ishim refugjat në Shkodër. Edhe për neve ka qenë diçka e papërshkrueshme, emocion shumë i veçantë. Kujtoj se kemi qarë të gjithë. Dhe më datën 20 qershor të asaj bote, ne jemi kthyer në Kosovë, sepse ishte ëndërr të kthemi në vendin tonë. Faleminderit shumë atyre që na kanë ndihmuar”, tregon Blerta.

Pas fushatës ajrore prej 78 ditëve, para 15 vjetësh, trupat e NATO-s zbarkuan në Kosovë.

Ndërhyrja u pasua edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë.

Me Kushtetutë, kjo ditë njihet si Dita e Paqes apo Dita e Çlirimit të Kosovës
XS
SM
MD
LG