Ndërlidhjet

Tregu i pakualifikuar i punës


Ilustrim
Ilustrim

Ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë kërkojnë që numri i madh i qytetarëve, të cilët janë të papunë, të arsimohen apo të trajnohen, pasi që në të kundërtën, sipas tyre, krijimi i vendeve të reja të punës për këtë kategori do të mund të bëhet vetëm në nivelin e punëve fizike.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, e quan shqetësues kur bën një krahasim në mes të numrit të premtuar për vende pune dhe nivelit të arsimimit të të papunëve.

“Janë rreth 270 mijë të papunë, 86 për qind janë të pakualifikuar ose me kualifikim të mesëm, çka do të thotë se me këtë strukturë kualifikuese të të papunëve, atëherë orientimi i hapjeve së vendeve të reja të punës do të jetë në nivelin manifaktural, që do të thotë më tepër do të ketë kuptim social që dikush të punësohet, se sa të jetë një punësim profitabil, produktiv, apo një punësim, i cili reflekton perspektivë të madhe ekonomike”, thotë Rexhepi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Partitë politike gjatë fushatës parazgjedhore në fokus të programeve të tyre kishin pasur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Rexhepi thekson se partitë politike kur kanë bërë këtë premtim për hapjen e rreth 200 mijë vendeve të punës, nuk kanë bërë kalkulime të qarta. Sipas tij, nga shifrat e publikuara për vende të reja të punës nuk dihet se cila do të jetë struktura ekonomike e Kosovës.

“Ta marrim rastin e bujqësisë, ku partitë politike janë fokusuar gjatë fushatës, që është potenciali më i madh për punësim. Nëse kanë menduar që punësimi të bëhet me punë manifakturale, atëherë nuk di ku do të jetë fuqia konkurruese e kësaj ekonomie, rendimenti, produktivitet, ku tërë bota në sektorin e bujqësisë shkon nga reduktimi i vendeve të punës, por modernizmin e procesit të prodhimit, duke rritur rendimentin, profitabilitetin, pasi që bujku nuk është ai që prodhon grurin apo domate, por ai është një biznes që kalkulon profitabilitetin e vet”, sqaron për Radion Evropa e Lirë, Rexhepi.

Rexhepi thekson se struktura ekonomike e avancuar teknologjia, energjetika, telekomunikacioni kërkojnë profile me specializim dhe me një nivel shumë të lartë të ngritjes profesionale.

Ndryshe, më gjatë se 12 muaj rreth 60 për qind e të papunëve të regjistruar presin për t’u punësuar.

Të papunët shumë herë është thënë se janë të papërgatitur për tregun e punës. Ky treg kërkon profesione që në Kosovë ka mungesë të tyre. Sistemi i shkollimit në Kosovë, në veçanti ai universitar, siç thonë ekspertët, në profilet e ndryshme nuk ofron specifikime të duhura.

Sipas hulumtimeve, tregu i punës në Kosovë kërkon më së shumti profesione në sektorin e ndërtimtarisë të ulët dhe të lartë, si dhe në hoteleri.

Por, këto profesione punohen nga persona të pakualifikuar.

Edhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë tregojnë se të papunët janë të papërgatitur për tregun e punës. Sipas tyre, ata nuk bëjnë trajnime, të cilat do t’i ndihmonin ata që të jenë të gatshëm për të punuar.

Tefik Agushi, menaxher i burimeve njerëzore në kompaninë “Meridian Express”, thotë se të rinjtë duhet të jenë më shumë të angazhuar për të fituar një vend pune.

Paraprakisht, sipas tij, puna praktike duhet të jetë e domosdoshme.

“Me rëndësi që unë shoh është interesimi, përkushtimi për të mësuar dhe kontributi për të dhënë. Në kompaninë tonë ka pasur persona, të cilët kanë bërë praktikë, por që tani janë në pozita menaxhimi, ky është një shembull i mirë që ata, të cilët janë të papunë, të angazhohen në trajnime profesionale, apo edhe punë praktike që më pas të jenë të gatshëm për tregun e punës”, shton Agushi.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia në Kosovë është 30.9 për qind, meqenëse ka edhe të dhëna, që flasin për një papunësi edhe mbi 40 për qind.

XS
SM
MD
LG