Ndërlidhjet

Kërkesa për profesionistë në hoteleri dhe ndërtimtari


Ilustrim
Ilustrim
Sipas sindikatave të punëtorëve, profesionet më të kërkuara në Kosovë mbesin hoteleria dhe profesionistë në sektorin e ndërtimtarisë së ulët dhe të lartë. Këta dy sektorë, janë identifikuar edhe nga autoritetet zyrtare si fushat më të kërkuara.

Por, disa kompani private, që shërbejë si urë lidhëse në mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve thonë se kompanitë private në vend, në të shumtën e rasteve kërkojnë agjentë shitjeje.

Ali Dragusha, nga Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës dhe njëherësh anëtar i Këshillit Ekonomik Social, konsideron se sektori i ndërtimtarisë dhe hotelerisë, viteve të fundit është më aktiv në vend, kështu që edhe punëtorët duhet të kërkohen më tepër në këto fusha.

“Nuk kemi ndonjë analizë të mirëfilltë të profesioneve më të kërkuara, si sindikatë. Por, mendoj se profesionet më të kërkuara në sektorin privat janë në fushën e ndërtimtarisë dhe hotelerisë dhe ato kryesisht profesione të natyrës së thjeshtë, fuqi punëtore”, thotë Dragusha.

Në Kosovë ekziston një kompani private që shërben si urë lidhëse mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, e quajtur “KosovaJob”.

Kjo kompani aktivitetin e ka filluar në fund të vitit 2011, dhe si partnerë ka 600 kompani private në gjithë vendin.

Arion Rizaj, menaxher në “KosovaJob”, tregon për Radion Evropë se për çdo ditë në këtë portal vendosin tetë vende të reja të punës, të profileve të ndryshme.

“Për gjashtë muajt e fundit, kompanitë private më së shumti shpallin konkurse për agjentë shitjeje, deri në 50 për qind, zhvillues projektesh e kështu me radhë. Ka pastaj edhe kamerierë, por më së shumti agjentë të shitjes dhe marketingut”, bën të ditur Rizaj.

Rizaj, ndërkaq, tregon se në këtë kompani biografitë e tyre i kanë paraqitur 15 mijë persona që në çdo moment janë të gatshëm për punësim, ndërkaq 2500 persona tashmë janë të punësuar.

Sidoqoftë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, papunësia thuhet se është 35.1 për qind. Shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë aktive është 36.8 për qind dhe shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë joaktive është 63.2 për qind.

Ndërkaq, numri i punëkërkuesve të regjistruar në qendrat rajonale në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, është rreth 300 mijë punëkërkues, kurse mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës.

Lidhur me këtë, Ali Dragusha shprehet se autoritetet kompetente duhet të zhvillojnë projekte për trajnimin e punëkërkuesve në profesionet më të kërkuara në vend.

“Parësore do të ishte, kemi nevojë për këtë profil dhe ky kuadër pasi t’i përfundojë trajnimet, ta përfundojë në lloj praktike, të ketë vendin e punës të caktuar. Pa u bërë ky lloj konkretizimi nga punëdhënësi dhe klasa politike, është vështirë se do të ketë sukses në këtë drejtim”, pohon Dragusha.

Zyrtarë të Qeverisë, kohë më parë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke bërë përpjekje për trajnimin dhe aftësimin e këtyre të papunëve, në mënyrë që në momentin kur tregu i punës i kërkon, të jenë të gatshëm të punojnë.
XS
SM
MD
LG