Ndërlidhjet

Shtyhet koncesionimi i Brezovicës


Brezovica
Brezovica

Situata para dhe pas zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re, ka shtyrë koncesionimin e kompleksit turistik “Brezovica”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.

Në këtë muaj ishte planifikuar të zgjidhet kompania fituese, kurse në muajin shtator të po këtij viti, të shpallej kontrata finale për koncesionim.

Ministri në largim, Bernard Nikaj, thotë se më 7 korrik është data kur duhet të dorëzojnë ofertat kompanitë e parakualifikuara. Përveç situatës politike, Nikaj thotë se ka qenë edhe kërkesa e kompanive të parakualifikuara për mundësinë e shtyrjes së procesit.

“Në muajin maj, para se të fillojë fushata parazgjedhore, ne kemi shtyrë afatin për datën 7 korrik, kur duhet të dorëzohen ofertat e kompanive të parakualifikuara. Do të thotë më 7 korrik dorëzohen ofertat, pastaj shpallja bëhet pas vlerësimeve të ofertave. Kjo ka qenë për shkak të fushatës, që të mos rrezikohet të politizohet çështja e kompleksit 'Brezovica' dhe çështja e investimeve aty. Po ashtu, ka qenë kërkesë e kompanive, mundësia e shtyrjes dhe për këtë ne e kemi shtyrë", thotë Nikaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe , pas dorëzimit të ofertave, fillon procesi i vlerësimit, që më pas nevojitet një periudhë kohore deri në shpalljen e kompanisë fituese.

Sidoqoftë, tri konsorciume dhe një kompani tashmë janë kualifikuar për dhënien me qira të kompleksit turistik "Brezovica". Një konsorcium është austriako- amerikan, një bullgaro-austriak, konsorciumi tjetër është nga Franca dhe Andora, si dhe një kompani serbe.

Këto kompani, sipas autoriteteve kompetente, posedojnë kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion përgjatë gjithë vitit për vizitorët lokalë dhe ndërkombëtarë.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje të turizmit, konsiderojnë se fundi i këtij viti, ndoshta mund të jetë përfundimtar për këtë proces.

Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, thotë se duke marrë parasysh situatën e krijuar politike, koncesionimi i kompleksit turistik mund të shtyhet prapë.

“Unë nuk pres ndonjë fillim apo ndonjë hap konkret para fillimit të vitit të ardhshëm. Në qoftë se shkon me skenarin më optimist, që mund të ndodhë, në qoftë se vërtet ndodh përzgjedhja e operatorit. Ndoshta shpallja e fituesit mund të ndodhë në fund të vitit, por të gjitha këto, e edhe situata parazgjedhore dhe paszgjedhore, do të ndikojnë në proces", shprehet Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që shtrihet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe, në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit.

Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

XS
SM
MD
LG