Ndërlidhjet

Çfarë e nxit zemërimin e Sunnive në Irak?


Një nga veprimet e para pas fitores kundër ushtrisë irakiane në Mosul, më 6 deri më 9 qershor, ishte hapja e dyerve të burgut të qytetit.

Simbolizmi ishte i fuqishëm: ata që u liruan, sipas kryengritësve, ishin viktima të qeverisë represive të udhëhequr nga pjesëtarë të komunitetit Shiia që po persekutonin popullatën Sunni, popullatë kjo që përbën shumicën në Mosul.

Me këto veprime, kryengritësit që janë një përzierje e xhihadistëve, grupeve islamike, ish pjesëtarëve të partisë së Sadam Hysenit, Baath dhe disa grupeve fisnore, shpresojnë që të fitojnë përkrahje popullore duke shfrytëzuar ankesat e shumta të komunitetit Sunni.

Në vijim po japim disa prej ankesave kryesore dhe si do të mund të rrisin ato krizën e sotme:

Ligji kundër terrorizmit

Fuqia e veprimit të kryengritësve me burgun në Mosul mbështetet në bindjen e përhapur gjithandej se komuniteti Sunni mban në mënyrë të padrejtë, peshën kryesore të bastisjeve periodike të sigurisë, bastisje këto që bëhen duke u bazuar në një ligj kontraverz kundër terrorizmit.

Ky ligj ishte aprovuar në vitin 2005 nga një parlament që nuk ishte i zgjedhur me vota, në vitet e para të okupimit amerikan të Irakut. Kjo kohë ishte kur Iraku përballej me një kryengritje të komunitetit Sunni, çdo herë në rritje, të atyre që ishin lojal ndaj regjimit të Sadam Hysenit dhe grupeve islamiste.

Ligji nuk është shfuqizuar asnjëherë ndërsa Sunnit thonë ai po përdoret që komuniteti i tyre të mbahen nën vëzhgim.

Në janar të vitit 2013, mijëra pjesëtarë të komunitetit Sunni, dolën në rrugët e Bagdadit dhe gjithandej Irakut për të protestuar atë që e ata e quanin burgosje vjetore të qindra njerëzve të pafajshëm duke u bazuar në këtë ligj dhe paraburgosjen e tyre me vite të tëra pa iu dhënë mundësia e një procesi gjyqësor.

“De-Baathifikimi”

“De-Baathifikimi” është emri jo zyrtar për një tjetër ligj që pjesëtarët e komunitetit Sunni thonë se në mënyrë të padrejtë i ka cak ata. Ligji zyrtarisht quhet për “Përgjegjësi dhe Drejtësi”.

Koncepti i mos lejimit të pjesëtarëve të rëndësishëm të partisë tashmë të ndaluar, Baath për të marrë poste të larta qeveritare gjithashtu daton nga koha e okupimit amerikan, më sakt vitin 2003.

Ky ligj është i përfshirë edhe në Kushtetutën e Irakut.

Forma aktuale e ligjit, që është amandamentuar në vitin 2008, e ka krijuar Komisionin e Lartë Kombëtar, organ i pavarur që ka për qëllim të vazhdojë “de-Baathifikimin” në kohë të pacaktuar, por gjithashtu iu siguron të drejtën personave të larguar nga puna që të apelojnë vendimin.

Pjesëtarë të komunitetit Sunni thonë se ligji është përdorur në përgjithësi për t’i perjashtuar ata në përgjithësi nga vendpunimet qeveritare. Qeveria irakiane e hedhë poshtë këtë pretendim.

Procesi i “De-Baathifikimit” është një ankesë tjetër e protestuesve Sunni në vitin 2013, së bashku me pretendimin se qeveria mbush institucionet publike me persona që janë lojal ndaj partive politike të Shiiave si pjesë të një sistemi të gjerë të klientelizmit.

Arrestimi i politikanëve Sunni

Pjesëtarët e komunitetit Sunni ndjehën se politikisht janë të margjinalizuar nga qeveria e Nuri al Malikut, e dominuar nga Shiiat.

Ata u zemëruan tejmase kur, vetëm një ditë pas largimit të trupave amerikane nga Iraku, në dhjetor të vitit 2011, Maliti bëri përpjekje që ta arrestojë zëvendës presidentin irakian, Tariq al Hashimi, pjesëtarë i komunitetit Sunni, duke u mbështetur në Ligjin kundër Terrorizmit.

Ministria e Brendshme kishte urdhëruar arrestimin e Hashimit pasi disa prej truprojeve të tij raportohet se e kishin akuzuar atë se udhëhiqte ekipe të vrasjeve gjatë kohës së pikut të dhunës sektariane në vitin 2006 dhe 2007.

Zyra e presidentit irakian, Jalal Talabani, pjesëtar i komunitetit të kurdëve, përmes një deklarate kishte njoftuar se ai ishte i “befasuar” me urdhër arrestin, ndërsa Hashimi ishte larguar për në rajonin që vetëudhëhiqet prej kurdëve për shkaqe sigurie.

Hashimi më pas ishte larguar nga Iraku, ndërsa ai është gjykuar dhe dënuar në mungesë me vdekje.

Një vit më vonë, zemërimi i Sunnive është thelluar derisa 10 truproje të një tjetër politikani të rëndësishëm Sunni, ministrit të asaj kohe të financave, Rade el Essaëi, u arrestuan me akuzën për terrorizëm.

Arrestimi i dhjetorit të vitit 2012 kishte nxitur 70 ditë të protestave të Sunnive, të cilat e arritën kulmin kur Essari i zemëruar njoftoj se kishte dhënë dorëheqje gjatë një prej protestave në dalje të qytetit të Ramadit.

Shtypja e protestave

Zemërimi i komunitetit Sunni me qeverinë e Malikut u transformua në një protestë të qëndrueshme në vitin 2013 me ndërtimin e kampeve të protestës në shumë qytete në zemër të territorit të këtij komuniteti.

Protestat, që në fillim u fokusuan duke e akuzuar qeverinë për korrupcion dhe shërbime jo adekuate, morrën përkrahje edhe në disa zona të banorëve Shiia.

Por bastisja qeveritare në një nga kampet e protestave në al Hawijah, në pjesën veriore të krahinës së Kirkukut në prill të vitit 2013 e ktheu lëvizjen e protestave çdo herë e më shumë në një konfrontim në mes të militantëve Sunni dhe forcave të sigurisë.

Tetë persona kanë vdekur gjatë asaj bastisje, që u bë pasi protestuesit refuzuan që të dorëzojnë militantët që dyshoheshin për vrasjen e një ushtari irakian.

Në dhjetor të vitit 2013 kishte edhe më tutje përleshje të përgjakshme, kur forcat e sigurisë e bastisen një kamp në afërsi të qytetit të Ramadit në krahinën perëndimore të Anbarit. Luftime morrën jetën e 14 personave, ndërsa kryengritësit Sunni morrën nën kontroll disa pjesë të Ramadit dhe tërë Falluxhan.

Duke e mbajtur me sukses nën kontroll Falluxhan dhe disa pjesë të Ramadit kundrejt ofenzivës qeveritare për gjashtë muaj, kryengritësit e shfrytëzuan momentumin për pushtimet ushtarake që i bën në qershor të vitit 2014 duke marrë nën kontroll Mosulin dhe më pas duke vazhduar tutje në drejt jugut, për të arritur deri në periferi të Bagdadit.

Fundi i "Rizgjimit"

Tani që “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti”, një grup i lidhur me Al Kaidën është duke e udhëhequr kryengritjen, ata që duan të rikthejnë kohën, shpresojnë për një lëvizje të Sunnive për ‘Rizgjim’. Kjo në fakt ishte edhe përpjekja amerikane kur fiset Sunni u armatosën për të luftuar Al Kaidën gjatë një kryngritje të mëhershme të Sunnive, në vitin 2006-2007.

Megjithatë, pas largimit të amerikanëve, qeveria e Malikut ka ndëprerë fondet për këtë ‘rizgjim’ të Sunnive, një lëvizje tjetër kjo që këta të fundit e shohin si përpjekje për t’iu marrë fuqi.

Ndalimi i fondeve gjithashtu ka rezultuar në humbje të rrogave për mijëra të rinj, duke i zemëruar ata dhe duke e shtuar kështu edhe një ankesë në listën e gjatë të ankesave që janë dëgjuar gjatë lëvizjes së protestës në vitin 2013.

Tani, pjesëtarë të lëvizjes së ‘rizgjimit’, të njohur edhe me emrin “The Sahëa”, apo Bijtë e Irakut, duhet të masin armiqësinë me xhihadistët kundrejt zemërimit të tyre me Malikun.

Shenja e parë që disa grupe të ‘rizgjimit’ do ta përkrahin Bagdadin, udhëheqsi i Këshillit të Rizgjimit në krahinën e Anbarit, Abu Risha, më 14 qershor ka thënë se pjesëtarët e grupit të tij “e kanë luftuar Al Kaidën në Anbar gjatë gjashtë muajve të fundit dhe se ne jemi të gatshëm që ta luftojmë edhe për gjashtë muaj të tjerë, por na duhet përkrahja amerikane”.

Mbetët të shihet se sa grupe të tjera të “Rizgjimit” ndjehën njëlloj.

Milicët e Shiias

Shumë pjesëtarë të komunitetit të Sunnive e kanë edhe një zemërim tjetër me Malikun, atë që e quajnë rolin e tij në inkurajimin apo së paku pranimin në heshtje të pjesëtarëve të milicëve të Shiiave në disa operacione shtetërore të sigurisë.

Një nga shembujt më të kqinj ishte ai i muajit mars, kur forcat e sigurisë dhe pjesëtarë të milicëve të Asaib Ahl Haq, një degë e grupit radikal të klerikut Shiia, Moqtada al Sadr, u futën në qytezën e Bohruzit dhe vranë së paku 23 persona pas marrjes së kontrollit mbi këtë qytezë nga militantët Sunni.

Urrejtja e Sunnive për milicët Shiia është rritur gjatë dhunës sektariane të vitit 2006 dhe 2007, që e dërgoj vendin deri para një lufte civile duke u shtyrë me sulme me bomba nga grupet ekstremiste të të dyja palëve.

Dhuna ndër-komunitare është qetësuar, por ajo asnjëherë nuk është zhdukur komplet, për tu rikthyer sërish gjatë muajve të fundit në nivele që nuk janë parë prej vitit 2008.

Në këtë pikë, vlerësimi i Kirk Sowellit, një analist politik me bazë në Jordani është ky:

"Një prej arsyeve që e ka nxitur kryengritjen e komunitetit Sunni janë milicët e Shiiave dhe vrasjet e kryera. Ka shumë viktima Sunni, pra megjithëse kjo ofenzivë është nisur nga kryengritja e Sunnive, në muajin prill është kryer një masakër e madhe në Bohruz, nga milicët Shiia. Pra, e kemi aktivitetin e milicëve Shiia, vrasjet e Sunnive që i kanë bërë ata, që daton para kohës së kryenritjes së Sunnive", thotë Soëell.

Lavdia e Dikurshme

Në fund, shumë pjesëtarë të komunitetit Sunni janë tejët të paknaqur me humbjen e statusit pas rënies së pushtetit të Saddam Hyseinit. Gjatë regjimit të këtij të fundit, minoriteti Sunni dominonte në pozitat udhëheqëse, ndërsa tani, në Irak pushtetin e udhëheqin shumica Shiite.

Nostalgjia ishte e dukshme gjatë kampeve të protestave në vitin 2013, kur dominonin flamujt e Irakut nga koha e Saddamit. Kjo gjithashtu i ka ndihmuar edhe Partisë Baath që të rigrupohet në formën e një grupi ‘neo-Baathist’, më i njohuri prej të cilëve është Jaych Rijal al Tariqa al Naqshbandia.

Ky grup udhëhiqet nga Ibrahim al Duri, i cili ishte zëvendësi i Saddam Hysenit.

“Këtë grup ju mund ta quani neoBaathistë apo thjeshtë Baathistët sepse ata udhëhiqen nga Izzar Ibrahim al Duri, i cili ka qenë zëvendës i Saddam Hysenit. Pra, ky është pasardhësi direkt i Partisë Baath të Irakut që e ka udhëhequr shtetin deri më 2003”, vlerëson, Kirk Sowell.

Tash për tash, neo-Baathistët kanë krijuar aleancë në betejë me “Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit” dhe grupe të tjera të armatosura islamike me qëllim që të sjellin komunitetin Sunni në pozitë mbizotruese sërish.

Për Baathistët, megjithatë qëllimi është krijimi i një Iraku të dominuar nga Sunnitë, por në një shtet sekular, derisa për grupit militant Sunnit, qëllimi është krijimi i Kalifatit Islamik në Irak duke u mbështetur në interpretimin e tyre ekstrem të ligjit fetar mysliman, Sharia.(a.haraqija)

XS
SM
MD
LG