Ndërlidhjet

Shfaqja që “do ta ndihmojë” Bosnjën drejt BE-së


Shfaqjen “Hotel Evropa”, me aktor Jacques Weber.
Shfaqjen “Hotel Evropa”, me aktor Jacques Weber.

Bernard-Henri Levy shpreson që një monolog dyorësh do ta shtyjë Bosnjë e Hercegovinën drejt Bashkimit Evropian.

Intelektuali publik francez mban të premten shfaqjen e tij në Sarajevë, të titulluar “Hotel Evropa”, me aktor Jacques Weber.

“Qëllimi ynë këtu, me këtë shfaqje, është jo vetëm që të japim shfaqje, por ta përdorim atë për të ndihmuar në ndyrshimin e situatës së tmerrshme në Bosnjë. Unë do të doja, dhe Weber po ashtu, që kjo shfaqje të jetë një nxitje që do ta ndihmonte Bosnjën të hynte në Bashkimin Evropian para Serbisë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Levy për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Personazhi kryesor mban një fjalim për Evropën në Teatrin Kombëtar në Sarajevë.

Fjalimi ka për qëllim të shënojë përvjetorin e 100-të të vrasjes në Sarajevë të trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, Franz Ferdinandit, që ka çuar në Luftën e Parë Botërore.

Por, Levy nuk ka pranuar të japë mendimin e tij për këtë vrasje.

“Nuk kam asnjë mendim për këtë. Unë jam në të tashmen dhe jo në të kaluarën. Shqetësim për mua është që Bosnja ime e dashur të hyjë në Evropë”, thotë ai.

“Nuk e di nëse do të kem sukses, por nëse po, do të ishte privilegj të shihje teatrin duke përmbushur rolin e tij të vërtetë që është ndryshimi i botës”, shton Levy.

Ai po ashtu thotë se Weber është një nga aktorët e paktë, të aftë për të mbajtur vëmendjen e publikut për dy orë. “ Ai është më i miri”, thotë Levy.

Levy nuk është i kënaqur me drejtimin e Evropës, pasi partitë e ekstremit të djathtë kanë shënuar fitore të mëdha në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian, por thotë se hyrja e Bosnjës në BE mund të japë një goditje.

“Evropa është aq e sëmurë në ditët e somte, aq e tronditur me kthimin e populizmit, nacionalizmit, nacionalizmit ekstrem dhe fashizmit, saqë hyrja e Bosnjës do të ishte ajër i pastër, gjak i ri dhe një injeksion i këtyre vlerave të Sarajevës”, shprehet Levy.

Pranimi i Bosnjës në Bashkimin Evropian ka kohë që është bllokuar për disa arsye, përfshirë mospajtimet midis udhëheqësve të ndarë etnikisht të vendit. Bruto prodhimi i brendshëm për kokë banori është po ashtu nën mesataren e Bashkimit Evropian.

Levy, për kohë të gjatë, ka ndjerë keqardhje për popullin e Bosnjës.

Ai ka shkuar në Sarajevë disa herë gjatë luftës, pas vizitës së parë më 1992. Të shkruash shfaqjen ka qenë e vështirë, thotë ai, sepse një gjë e tillë të rikujtonte “të gjithë suveniret e 20 vjetëve më parë”.

“Kam pasur privilegjin e tmerrshëm që të ndaj me popullin e Bosnjës një pjesë të vuajtjeve të tij nga viti 1992 deri më 1995. Ka qenë një privilegj i tmerrshëm, të cilin e kam në kokën time, në trurin tim, në trupin tim”, thotë Levy.(v.tela)

XS
SM
MD
LG