Ndërlidhjet

Refuzojnë PDK-në


Një mbështetës i LDK-së, foto nga arkivi...

Blloku i partive jofituese të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit përmes një deklarate të përbashkët është zotuar se nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Në takimin e liderëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, është pritur të dilet me qëndrime rreth formimit të koalicionit eventual, por megjithatë ata kanë dalë me deklaratë refuzuese për PDK-në.

Liderët e këtyre partive politike, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj përmes kësaj deklarate janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen ftesës së PDK-së dhe mandatarit të saj për krijimin e qeverisë.

“Ne LDK-ja, AAK-ja, NISMA për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje!, as si koalicion dhe as si subjekte politike ndarazi nuk do t’i përgjigjemi ftesës së PDK-së e as pretendentit për mandatar të kësaj partie në çfarëdo konsultimi për krijimin e qeverisë së re”, thuhet në deklaratën e këtyre partive politike.

Pas takimit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherit i mandatuar nga blloku LDK, AAK dhe Nisma për postin e kryeministrit ka thënë se ka përafrim të pozicioneve për të formuar qeverinë e ardhshme.

Ndërkohë, edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti është shprehur i bindur se bisedimet e partive të bllokut pa PDK-në po përparojnë dhe se sipas tij, kryesorja është që nuk do të ketë qeveri “Thaçi 3”.

Vetëvendosje u ka parashtruar nëntë kërkesa bllokut LDK, AAK dhe Nisma si kushte për mbështetjen e qeverisë së koalicionit opozitar që do të udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Mes tjerash, Vetëvendosje kërkon ristrukturimin e dialogut me Serbinë dhe ndryshimin e politikave të privatizimit.

Nëse këto kërkesa do të pranoheshin, atëherë edhe Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në këtë qeveri, të cilën kjo parti politike e sheh si emergjente dhe me mandat të përgjysmuar dy vjeçar.

Pa mbështetjen e Vetëvendosjes, një qeveri eventuale e formuar nga LDK, AAK dhe Nisma duket gati e pamundshme apo e paqëndrueshme.

Një çështje tjetër diskutabile në këtë mes mbetet edhe aspekti kushtetues.

Presidentja Atifete Jahjaga i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për të marrë një interpretim rreth rrugës ligjore e kushtetuese që duhet ndjekur deri te formimi i qeverisë se re të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka kumtuar se tashmë e ka marrë vendimin. Por, në një njoftim të këtij autoriteti thuhet se ky vendim do të bëhet publik ditëve në vijim.

Komentet (2)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG