Ndërlidhjet

Pas PDK-së, mandatari i qeverisë nga cilado parti


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurat që duhet të ndjek presidentja e Kosovës për caktimin e mandatarit për krijimin e qeverisë në dy rastet kushtetuese, paraqet një mundësi të mirë për tejkalimin e krizës dhe evitimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme, vlerësojnë analistët e çështjeve politike e juridike.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se në rastin e parë, mandatari, sipas interpretimit të Kushtetueses do t'i takojë PDK-së, si partia shumicë e dalë nga rezultati i zgjedhjeve.

"Në rastin e parë, presidentja e Republikës e ka një pozicion pasiv. Koalicioni më i madh parazgjedhor e që bartë njëkohësisht numrin apo shumicën relative të deputetëve në Kuvend bën një propozim për emrin e mandatarit dhe presidentja këtë propozim e dekreton duke qëndruar në këndin e shikuesit dhe duke mos pasur rol në ndërtimin e ndonjë konsensusi jashtë apo përtej propozimit që vjen nga partia apo koalicioni më i madh parazgjedhor", ka thënë Korenica për Radion Evropa e Lirë.

Në vendimin e Kushtetueses një interpretim më i gjerë i është bërë rastit të dytë të caktimit të mandatarit, nëse partia e parë, fituese e zgjedhjeve nuk arrin të sigurojë miratimin e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë.

Fisnik Korenica thotë se në rastin e dytë do të vjen në shprehje roli aktiv i presidentes e cila do t'i konsultojë partitë politike, pa dallim, dhe më pas në bazë edhe të vlerësimit të saj, do të përcaktohet se kë do ta mandatojë për krijimin e qeverisë, në bazë të perceptimit të saj.

Në këtë rast, vijon Korenica, presidentja sigurohet se ka një marrëveshje dhe ka një shumicë kështu që bëhet edhe garantuese se mandatari i dytë ka siguruar të paktën 61 vota të deputetëve për formimin e qeverisë.

"Te rasti i dytë, Gjykata i jep presidentes diskrecion. Ky diskrecion nuk i jep të drejtën presidentes që ta caktojë se kush është mandatari, por nënkupton që presidentja del në terrenin politik dhe aktivisht e kërkon një grup të partive politike të cilat së bashku janë në gjendje t'i garantojnë asaj se kanë numrin e mjaftueshëm të votave dhe janë në gjendje të formojnë qeverinë pavarësisht se cilat janë ato parti, pa asnjë përjashtim", ka vlerësuar Korenica.

Çështja e diskrecionit që i është lënë presidentes që të vlerësojë vetë dhe të vendosë në rastin e dytë për caktimin e mandatarit, komentohet edhe nga profesori Riza Smaka.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, profesori Smaka konsideron se në këtë rast, Kushtetuesja ka bërë një zgjidhje politike, por e cila i kënaq kërkesat e palëve.

"Unë gjykoj që ky opinion që është dhënë, është më tepër politik sesa kushtetutar, sepse Kushtetuta nuk e precizon absolutisht koalicionin zgjedhor e parazgjedhor, por vetëm koalicion. Mirëpo, marrë parasysh rrethanat ekzistuese në Kosovë, konsideroj se mirë është vepruar sepse janë kënaqur kërkesat dhe oportunitetet politike", ka thënë Smaka.

Edhe profesori Riza Smaka konsideron se me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese i ka hapur mundësitë që të mos lejohet krizë institucionale, pasi që në rast të dështimit të partisë së parë, do të vijnë në shprehje edhe parti dhe koalicione tjera që të formojnë qeverinë.

"I është lënë në njëfarë diskrecioni presidentes që ta vlerësoj situatën dhe t'ia jap mandatin këtij apo atij. E tash kjo, këtij apo atij, në mënyrë logjike nënkupton se kujt, sepse nuk ka kujt t'ia jap mandatin tjetër pos koalicionit që ofron numrin e nevojshëm e në këtë rast, koalicionit që është formuar pas zgjedhjeve", ka theksuar Smaka.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar sqarime në lidhje me nenet përkatëse që përcaktonin dhënien e mandatit partive për krijimin e qeverisë.

Sidomos, ishte diskutabile nëse qeverinë mund ta formimin edhe partitë jo fituese të zgjedhjeve, siç është rasti me bllokun LDK, AAK dhe Nisma të mbështetura edhe nga Vetëvendosje që po synojnë të krijojnë qeverinë e ardhshme pa PDK-së si fituese të zgjedhjeve.

Sipas procedurave, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve pason periudha një mujore për thirrjen e seancës konstitutive të përbërjes së re të Kuvendit.

Më pas zgjidhen organet e reja drejtuese të Kuvendit, me çka hapet edhe mundësia që Presidentja e Kosovës të dekretoj mandatarin e qeverisë.

Procedura e miratimit të qeverisë mund të përsëritet vetëm në dy raste dhe se dështimi eventual në rastin e dytë do të qonte vendin në zgjedhje.

Mandatari i parë i ka 15 ditë afat, kurse i dyti 10 ditë për të formuar qeverinë dhe marrë mbështetjen e Kuvendit. Miratimi i qeverisë bëhet me minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG