Ndërlidhjet

SHBA-ja mbështet Maqedoninë drejt NATO-s


Viktoria Nuland(majtas) dhe Nikolla Gruevski, shkup, 14 korrik 2014
Viktoria Nuland(majtas) dhe Nikolla Gruevski, shkup, 14 korrik 2014

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin vizionin për një Maqedoni, e cila do të ecë përpara drejt prosperitetit dhe zhvillimit të demokracisë, deklaroi ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Viktoria Nuland, pas takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski.

Ajo theksoi se përmbushja e Marrëveshjes së Ohrit paraqet kusht të domosdoshëm për të ardhmen e shtetit të Maqedonisë.

Ndërkaq, duke komentuar gjendjen politike në vend pas protestave rreth rastit “Monstra”, Nulad inkurajoi palët për më shumë bashkëpunim ndërmjet komuniteteve, ndërsa theksoi gatishmërinë e amerikanëve për investime në rajonet shqiptare të Maqedonisë, me qëllim të barazimit ekonomik dhe social.

“Ne tashmë një kohë të gjatë mbështesim vizionin për një Maqedoni të integruar. Ju keni përgjegjësi të veçantë në rajon që të bëheni vend, i cili paraqet shembull se maqedonasit dhe shqiptarët jetojnë bashkë, qetë dhe të prosperojnë së bashku”.

“Kjo paraqet një punë të vështirë, po njëherësh dhe mundësi për të dyja palët. Më duhet të theksoj se me rëndësi të veçantë është harmonia politike dhe ajo ndëretnike, si dhe përparimi i të dy komuniteteve bashkë. SHBA-ja është e kënaqur për mundësinë e investimit fuqishëm për këtë vizion të integruar, në aspektin politik, ekonomik, të sigurisë etj”, tha Nuland.

Gjithashtu, Nuland potencoi se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë procesin e KB-së për zgjidhjen e kontestit të emrit që ka me fqinjin e saj jugor, me qëllim që Maqedonia ta fitojë vendin e duhur në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Rikonfirmoj dëshirën e SHBA-së për të qenë e përfshirë për aq kohë sa angazhoheni për të zgjidhur çështjen në mënyrë që Maqedonia të realizojë plotësisht aspiratat euro-atlantike përmes NATO-s dhe BE-së”, theksoi Nuland.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se Republika e Maqedonisë pret që edhe më tej ta ketë mbështetjen e fuqishme amerikane në drejtim të marrjes së ftesës, sipas tij, tashmë një kohë të gjatë të merituar për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Reformat, të cilat Maqedonia i ka realizuar në të gjitha sferat shoqërore dhe ato institucionale, si dhe pjesëmarrja e armatës së Maqedonisë në kuadër të shumë misioneve paqësore, na japin të drejtë për të insistuar në tejkalimin e të gjitha pengesave rreth anëtarësimit tonë”, u shpreh Gruevski.

Sipas tij, duke marrë parasysh faktin se procesi i reformave paraqet një proces, që kërkon përkushtim të vazhdueshëm, Maqedonia zotohet se edhe më me ngulm do të angazhohet për të realizuar këtë synim.

Ndihmëssekretarja amerikane për çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Viktoria Nuland , u takua edhe me liderët e partive politike, me ç’rast diskutoi për çështjet aktuale në Maqedoni, si dhe për procesin euroatlantik të vendit.

Vizita e diplomates amerikane po zhvillohet në kuadër të turneut të saj në rajonin e Evropës Juglindore, me pjesëmarrjen në Forumin e Dubrovnikut për Ballkanin Perëndimor dhe Marrëdhëniet Transatlantike.

XS
SM
MD
LG