Ndërlidhjet

Sanksione më të forta kundër Rusisë


Ilustrim
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë forcuar sanksionet kundër Rusisë, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Uashingtoni, për herë të parë, ka goditur sektorin bankar, ushtarak dhe atë energjetik të Rusisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se sanksionet e reja janë përgjigje ndaj dështimit të Rusisë për të marrë hapa konkretë në ndalimin e dhunës në lindje të Ukrainës.

E kam bërë të qartë në mënyrë të vazhdueshme se Rusia duhet të ndalojë rrjedhjen e armëve dhe të luftëtarëve përtej kufirit në Ukrainë”, ka thënë Obama, duke shtuar se një gjë të tillë ia ka thënë direkt edhe presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ne do të ngrijmë pasuritë e disa kompanive ruse të mbrojtjes dhe do të bllokojmë financimet e reja të disa bankave të rëndësishme të Rusisë dhe të kompanive energjetike”, ka thënë Obama.

Departamenti i Thesarit ka përdorur autoritetin e tij për herë të parë, nën një urdhër të veçantë ekzekutiv, për të ndëshkuar disa banka kryesore ruse, ashtu si edhe kompani të energjisë.

Subjektet e prekura përfshijnë kompaninë shtetërore të naftës, Rosneft, bankën shtetërore Vnesheconombank, prodhuesin e gazit natyror Novatek dhe Gazprombankën, krahun financues të Gazpromit.

Kompanitë amerikane do të lejohen të bëjnë biznes me firmat, sipas Departamentit të Thesarit, por subjektet e SHBA-së do të ndalohen të lëshojnë borxhe të reja më gjatë se 90 ditë.

Një zyrtar i administratës ka thënë se masa do të kufizojë qasjen e tyre në tregjet e kapitalit për shkak të dominimit të dollarit amerikan në gjithë botën.

Lista e sanksioneve nuk përfshin kompaninë shtetërore ruse të gazit natyror, Gazprom, dhe as shefin ekzekutiv të saj, Aleksei Miller. Kompania ka ndërprerë furnizimet e saj në Ukrainë, për shkak të një mosmarrëveshjeje për çmimin.

Presidenti Obama është zotuar se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të fuqishme për Ukrainën, për ta ndihmuar stabilizimin e ekonomisë së saj dhe mbrojtjen e integritetit të saj territorial, sepse, si çdo popull tjetër, edhe ukrainasit e meritojnë të drejtën për të zgjedhur vetë drejtimin e tyre”, ka thënë Obama.

Në reagimin e parë ndaj sanksioneve amerikane, presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se ky hap do t’i çojë marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë në një “fund të vdekur” dhe do të dëmtojë interesat e bizneseve amerikane.

“Sanksionet kanë efekt bumerang dhe padyshim se do t’i çojnë marrëdhëniet SHBA-Rusi në një fund të vdekur dhe do të shkaktojnë dëme shumë serioze”, ka thënë Putin.

Edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të zgjerojnë sanksionet ndaj Rusisë, duke goditur kompanitë që ndihmojnë në minimizimin e sovranitetit të Ukrainës.

Krerët e BE-së kanë vendosur po ashtu që të kërkojnë nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që të pezullojnë financimin e projekteve të reja në Rusi.(v.tela)

XS
SM
MD
LG