Raportimet e së dielës thonë se mbi 190 trupa të pajetë të 298 personave që ishin në bordin e aeroplanit të “Malaysia Airlines” të rrëzuar në pjesën lindore të Ukrainës, janë tërhequr nga vendi ku kanë mbetur prej datës 17 korrik.
Agjencitë ruse e ukrainase të lajmeve po raportojnë se së paku 196 trupa të pajetë janë tërhequr nga zona ku është rrëzuar aeroplani.
Disa raportime thonë se është e paqartë se ku janë dërguar trupat e pajetë, mirëpo sipas Reuters-it, punonjës të hekurudhave pretendojnë se disa prej trupave janë dërguar në vagonë frigoriferë në stacionin e trenit në Torez, rreth 15 km prej vendin ku është rrëzuar aeroplani.
Zëdhënësja e shërbimit të emergjencave në Ukrainë, Nataliya Bystro, ka thënë se punonjësit qeveritarë dhe rebelët kanë mbledhur 196 trupa, mirëpo ajo ka thënë se rebelët më pas i kanë marrë trupat dhe i kanë dërguar në një lokacion të panjohur.
Televizioni rus, “Rossiya 24”, raporton se trupat janë dërguar në morgun e qytetit të Donjeckut.
Ka pasur, gjithashtu, raportime se lideri vendor separatist i Republikës së vetëshpallur të Donjeckut, zëvendëskryeministri Andrei Purgin, ka dhënë garanci për sigurinë e vizitës së ekspertëve ndërkombëtarë në vendin ku është rrëzuar aeroplani, vetëm nëse Kievi pajtohet për armëpushim.
Separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës kanë lejuar monitoruesit e OSBE-së që të vizitojnë vetëm pjesërisht vendin ku është rrëzuar aeroplani i “Malaysian Airlines” më 17 korrik. Sidoqoftë, OSBE-ja ka thënë se ekipet e tyre janë trajtuar shumë keq nga separatistët dhe se atyre nuk iu është lejuar qasje e plotë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Andriy Lysenko, gjatë një konference të mbajtur të dielën me gazetarë, ka thënë se separatistët pro-rusë janë duke bërë “çdo gjë të mundshme që t’i fshehin dëshmitë e përfshirjes së raketave ruse në rrëzimin e aeroplanit”.
Lysenko, gjithashtu, ka thënë se Rusia po vazhdon të përkrahë rebelët me “armatim të rëndë”.
Në Holandë, prej nga është nisur aeroplani i rrëzuar i “Malasyian Airlines”, shërbimet kishtare janë lutur edhe për ata që janë vrarë edhe për të afërmit e tyre.
Shumica e pasagjerëve të aeroplanit të rrëzuar që humbën jetën - së paku 193 prej tyre kanë qenë qytetarë të Hoalndës.
Udhëheqësi i Konferencës së Peshkopëve holandezë, Kardinali Wim Eijk, iu ka bërë thirrje besimtarëve që “të luten për fuqinë dhe kurajën e të afërmve” të atyre që vdiqën në tragjedinë e aeroplanit.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, ka shprehur zemërimin e madh kur ka marrë vesh se janë vjedhur gjësendet që iu kanë takuar pasagjerëve të aeroplanit të rrëzuar, ndërsa është bërë përpjekje që të bëhen edhe blerje me kredit kartelat e tyre.
Rutte ka zhvilluar disa biseda telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, duke shprehur neverinë me atë që po ndodh në vendin ku është rrëzuar aeroplani dhe duke i bërë thirrje Putinit që të përdorë ndikimin e tij t’i bindë rebelët në lindje të Ukrainës që të bashkëpunojnë me hetuesit ndërkombëtarë.
Moslejimi i ekspertëve ndërkombëtarë që të hetojnë vendin ku është rrëzuar aeroplani dhe të bëhet tërheqja e trupave të pajetë, ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare.
Zyra e presidentit francez, Francois Hollande, ka publikuar një komunikatë më 20 korrik, duke thënë se Hollande ka biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrin britanik, David Cameron.
Sipas komunikatës, të tre liderët janë pajtuar që t’i kërkojnë Putinit të dielën që të nxisë rebelët pro-rusë të lejojnë punonjësit e emergjencës dhe hetuesit ndërkombëtarë që të kenë qasje të plotë në vendin kur është rrëzuar aeroplani me 298 pasagjerë.
“Nëse Rusia nuk ndërmerr masa të menjëhershme, kjo do të ketë pasoja që do të krijohen nga Bashkimi Evropian në takimin e Këshillit të BE-së që do të mbahet më 22 korrik”, thuhet në komunikatë. (a.haraçia)