Ndërlidhjet

WP: Bota duhet ta dijë se armatimi i kujt e shkatërroi aeroplanin


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë ditëve të fundit ka pasur dëshmi të mjaftueshme se Rusia po e shton furnizimin e kryengritësve në pjesën lindore të Ukrainës me armatim të rëndë, përfshirë sistemet kundërajrore, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Washington Post.

Sipas artikullit, qeveria në Kiev ka raportuar se dy aeroplanë luftarakë të saj janë qëlluar javën e kaluar, nga separatistët apo nga aeroplanët ose bateritë ruse, që operojnë matanë kufirit.

Të enjten ndodhi tragjedia e madhe: shkatërrimi i aeroplanit të Malajzisë me 295 njerëz në të.

Autoritetet e Ukrainës akuzojnë se ai ishte goditur nga raketa e lansuar nga bateria e prodhimit rus tokë - ajër, me të cilën janë furnizuar përfaqësuesit e Moskës në Ukrainë.

Nëse raportet konfirmohen, separatistët në Ukrainë dhe sponsorët e tyre në Moskë, do të jenë përgjegjës për krimin e tmerrshëm. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet duhet të insistojnë që ata që janë përgjegjës të japin llogari, përfshirë edhe ata në Kremlin, shkruan Washington Post.

Mund të parashikohet se kryengritësit kanë bërë çdo gjë të mundshme të enjten për ta fshehur atë që ka ndodhur. Ata i kanë hedhur poshtë pohimet se e kanë goditur aeroplanin, megjithëqë mbetjet e aeroplanit u rrëzuan në territorin që ata e kontrollojnë afër kufirit me Rusinë.

Komandanti i tyre, shtetas rus dhe ish-oficer ushtarak me emrin, Igor Strelkov, ka pretenduar, një një shkrim të publikuar të entjen, se e ka rrëzuar një aeroplan transportues ushtarak të Ukrainës, e pastaj e ka larguar tekstin.

Mediat ruse të kontrolluara nga shteti, i janë bashkuar mistifikimit, duke e hedhur fajësinë në forcat ushtarake të Ukrainës dhe madje kanë sugjeruar se aeroplani i Malajzisë ishte goditur nga raketa, që ishte hedhur për ta goditur aeroplanin, në të cilin ndodhej presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Nga ana e tij, zoti Putin në mënyrë të pasinqertë pretendoi se faji është i Ukrainës, meqë kishte ndërmarrë operacione ushtarake kundër kryengritësve, duke e injoruar furnizimin e Rusisë me armatim të rëndë për kryengritësit.

Washington Post, më tutje, shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet nuk duhet të lejojnë që Rusia dhe agjentët e vet të kryejnë fshehje. Ata duhet të këmbëngulin për hetime ndërkombëtare, të sponsorizuara nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, për të përcaktuar se si aeroplani ishte rrëzuar dhe ku e ka origjinën armatimi i përdorur kundër tij. Qeveria e Putinit duhet të sfidohet për ta mbështetur një hetim të tillë ose duhet të shihet nga bota se e bllokon atë.

Njëherësh, qeveritë perëndimore duhet t’i ndalin interesat speciale dhe kujdesin e tyre të tepruar për të imponuar sanksione më të ashpra kundër Rusisë, për sjelljen e saj në Ukrainë.

Shpallja e administratës Obama të sanksioneve të reja, të mërkurën në mbrëmje, paraqet nder për të.

Duke i marrë në shënjestër dy banka ruse, dy kompani energjetike dhe një numër të firmave të mbrojtjes, sanksionet ishin më të fuqishmet që janë ndërmarrë deri tash. Por, administrata veproi vetëm pas disa javësh të debatit të brendshëm dhe negociatave me qeveritë evropiane, që dështuan të prodhojnë aksion të krahasueshëm të Bashkimit Evropian, shkruan Washington Post.

Shtëpia e Bardhë vazhdon t’u shmanget masave që do të shkaktonin dëme shkatërruese në sistemin financiar rus dhe do ta detyronin zotin Putin dhe elitat ruse rreth tij, të zgjedhin ndërmjet agresionit në Ukrainë dhe ardhmërisë ekonomike të Rusisë.

Masat e së mërkurës i ndalin dy banka që të marrin financime afatgjate në tregjet e Shteteve të Bashkuara, por Thesari nuk i ka përjashtuar ato banka nga sistemi financiar, e as që ka marrë masa kundër bankave më të mëdha.

Megjithëqë banka e vet është sanksionuar, gjiganti rus energjetik, Gazprom, mbetet i paprekur.

Madje edhe para humbjes tragjike të aeroplanit të Malajzisë, duhet të ishte e qartë për perëndimin se agresioni i Rusisë në Ukrainë nuk mund të neglizhohet ose të mbetet anash. Është kriminale dhe e patolerueshme dhe duhet të trajtohet në mënyrë përkatëse, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG