Ndërlidhjet

Shqipëri: Parlamenti miraton Reformën Territoriale


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë

Parlamenti i Shqipërisë, ka diskutuar në seancën e fundit për këtë sesion legjislativ disa projektligje, ku më i rëndësishmi ishte ai për Reformën Territoriale.

Mbas debatesh e qëndrimesh të kundërta, Reforma Territoriale është miratuar me 88 vota për, 1 kundër, 1 abstenim.

Reforma e re Territoriale e ndan vendin në 61 njësi vendore nga mbi 373 që numëron Shqipëria deri tani.

Gjatë fjalimit të tyre në seancën e së enjtes, deputetët kanë mbrojtur idetë e tyre për dhe kundër Reformës Territoriale të propozuar nga Qeveria.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se “rrënjët e së keqes qëndrojnë tek administrimi i keq i territorit. Sot po bëjmë një reformë historike. Kjo reformë rrit cilësinë e shërbimit për qytetarin”.

Ndërsa, nënkryetari i Parlamentit të Shqipërisë dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kundërshtar i ashpër i variantit të propozuar nga Qeveria të Reformës Territoriale, ka propozuar referendum në Himarë, për të vendosur bashkimin e Himarës me Vranishtin, ashtu siç parashikohet në Reformën Territoriale.

Sipas tij, kjo Reformë cenon minoritetin grek në Shqipëri.

Në Kuvend u dorëzuan dy amendamente për ndryshime në Reformën Territoriale, një nga Shpëtim Idrizi nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, i cili propozoi që fshatrat Vagalat, Sopik e Pandelejmon të bashkohen me Bashkinë e Livadhjasë, dhe amendamenti tjetër nga Andrea Marto nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut , i cili propozonte që Kardhiqi, Peca e Muzina të kalonin në Bashkinë Livadhja.

Opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar, nuk ishte e pranishme në seancën e fundit parlamentare.

Votimi i reformës Territoriale ishte një provë e forcës së numrave për mazhorancën e majtë, pasi për miratimin e saj duhej shumica e cilësuar, me 84 vota.

Numri i duhur i këtyre votave u rrezikua një javë më parë, kur 5 deputetë socialistë nuk morën pjesë në parlament, duke bllokuar ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Seanca e së enjtes shënoi edhe mbylljen e punimeve të Parlamentit për këtë legjislaturë. Legjislatura e re nis në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG