Ndërlidhjet

Thellohen çarjet mes PDK-së dhe "bllokut"


Blloku i partive të koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë refuzuar ftesën e deputetes më të vjetër, Flora Brovina për t'u takuar në kuadër të përgatitjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesit e partive të bllokut e kanë arsyetuar këtë refuzim me faktin që Brovina nuk është kryetare, por kryesuese e seancës konstituive në bazë të moshës.

Avni Arifi, këshilltari i parë i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kandidat i koalicionit për postin e kryeministrit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se blloku LDK, AAK dhe Nisma e konsideron ftesën e deputetes së PDK-së, Flora Brovina të panevojshme dhe të papranueshme.

"Konsultimet e tilla janë totalisht të panevojshme dhe ne nuk i pranojmë. Natyrisht që është Sekretaria e Kuvendit dhe përmes saj caktohet data e seancës ku të gjitha partitë parlamentare i përgjigjen. Këto janë procedura standarde që ndodhin në çdo seancë dhe kjo është shumë e lehtë të realizohet", ka thënë Arifi.

Në anën tjetër, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, u ka bërë ftesë të gjitha partive politike parlamentare që të marrin pjesë në konsultën e ftuar nga Kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina.

Në një deklaratë të lëshuar nga Kryesia e PDK-së shprehet gatishmëria për bashkëpunim me partitë tjera politike për formimin e institucioneve shtetërore.

PDK rikonfirmon se nuk heq dorë nga pretendimi që si parti fituese e zgjedhjeve të marr nën drejtim qeverinë si dhe postin e kryetarit të Kuvendit.
Kurse ka fajësuar bllokun LDK, AAK dhe Nisma për zvarritjet e krijuara për formimin e institucioneve të reja.

"Paralajmërimi i vazhdueshëm nga liderët humbës të zgjedhjeve se nuk do të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se do të vazhdojnë me procedura kundër-kushtetuese në Seancën Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës paraqet një shantazh publik dhe shpreh përsëri logjikën kundër-kushtetuese të bllokuesve të themelimit të institucioneve shtetërore", thuhet në deklaratën e PDK-së.

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me postin e kryetarit të Kuvendit, PDK njihet si Grupi më i madh parlamentar.

Analistët politik vlerësojnë se kriza rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje mes PDK-së dhe bllokut LDK, AAK dhe Nisma.

Por, këto blloqe që nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit nuk komunikojnë mes vete.

Analisti Artan Muhaxhiri megjithatë e sheh si të domosdoshme që PDK dhe Blloku i treshes të gjejnë një zgjidhje.

"Është e pamundur që të zgjidhet kjo bllokadë pa takimin e dy blloqeve kryesore që janë koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Partia Demokratike", ka thënë Muhaxhiri.

Për shkak të mungesës së dialogut politik, nuk përjashtohet si mundësi që presidentja Atifete Jahjaga të thërras një takim ku liderët politik do të dakordoheshin eventualisht për vazhdimin e seancës konstituive.

Avni Arifi nga Blloku LDK, AAK dhe Nisma thotë se ftesa eventuale nga presidentja është një tregim krejt tjetër dhe se nuk ka ndonjë arsye që të mos i përgjigjet ndonjëri prej liderëve apo përfaqësuesve politik.

"Ne e respektojmë rolin kushtetues të presidentes dhe në çdo ftesë të presidentes që ka për qëllim avancimin, jo vetëm të këtij procesi por çfarëdo procesi nacional, natyrisht se do t'i përgjigjemi pozitivisht, siç edhe iu kemi përgjigjur në të kaluarën", ka theksuar Arifi.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pati filluar me 17 korrik. Në atë seancë ishin përmbyllur dy pika, ajo e konfirmimit të mandateve dhe betimi i deputeteve.

Kurse pika për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit nuk ishte përmbyllur, pavarësisht që edhe pas një ndërprerje të seancës nga kryesuesja, deputetja Flora Brovina, 83 deputetë ishin kthyer në sallë duke e zgjedhur Isa Mustafën, pa votat dhe praninë e PDK-së, në postin e kryetarit të Kuvendit.

Më pas, PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një interpretim dhe aktgjykim rreth zgjedhjes së Mustafës.

Gjykatës Kushtetuese e pranoi kërkesën e PDK-së dhe e shpalli jo kushtetuese dhe të pavlefshme zgjedhjen e Mustafës.

Ndërkaq në opinionin e saj, Kushtetuesja e ka rikthyer zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit si pikë të pa përmbyllur, duke kërkuar që nominimi i kryetarit të Kuvendit të vij nga Grupi më i madh parlamentar.

Zgjidhja e nyjës së kryetarit të Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të organeve të reja, përfshirë edhe qeverisë së re të Kosovës.

XS
SM
MD
LG