Ndërlidhjet

Live Blog

Menjëherë pas dështimit të zgjedhjes së Arsim Bajramit në postin e kryetarit të Kuvendit, është ndërprerë seanca deri në momentin kur do të ftohen deputetët të vazhdojnë këtë seancë të filluar që nga 17 korriku.

Përshëndetje nga ekipi i Radios Evropa e Lirë.

Në këtë blog, lexues të nderuar, do të mund të ndiqni të gjitha zhvillimet mbi seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.


Duke klikuar këtu, mund të lexoni zhvillimet e seancës së 17 korrikut.


Na kontaktoni edhe në Twitter dhe Facebook.

07:53 18.9.2014

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive me pikën e vetme, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.

Seanca konstituive e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, ka filluar më 17 korrik. Në atë seancë, deputetët miratuan verifikimin e mandatëve dhe dhanë betimin. Kurse në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit deputetët u ndanë në dy blloqe.

07:58 18.9.2014

Partia Demokratike Kosovës kishte propozuar deputetin e saj Agim Aliu për kryetar të Kuvendit dhe me atë rast, blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma si edhe Lëvizja Vetëvendosje lëshuan sallën, duke i pamundësuar Kuvendit vazhdimin e seancës.

Në mungesë kuorumi, kryesuesja e seancës, Flora Brovina kishte mbyllur mbledhjen deri në ftesat e ardhshme për deputetët.

08:01 18.9.2014
Isa Mustafa, 17 korrik
Isa Mustafa, 17 korrik

​Pas largimit të PDK-së nga salla, deputetet e LDK-së, AAK-së, Nisma, Vetëvendosjes dhe pakicave, ishin kthyer në sallë. Me prezencë të 83 deputetëve dhe me 65 vota për, seanca kishte zgjedhur më 17 korrik Isa Mustafën në postin e kryetarit të Kuvendit.

Mirëpo, me këtë vendim nuk ishte pajtuar PDK-ja e cila e kishte proceduar lëndën në Gjykatë Kushtetuese. Pas shqyrtimit të lëndës së PDK-së, me kërkesë të LDK-së, më 21 gusht ishte thirrur edhe një seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.

Një ditë më vonë, Kushtetuesja nxorri aktgjykimin, duke e shpallur jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e mbajtur nga 83 deputetë.

08:05 18.9.2014

Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se vendimi i 83 deputetëve për zgjedhjen e Isa Mustafës, kryetar i Kuvendit ishte jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit. Rrjedhimisht, e kishte shpallur postin e fituar nga Mustafa të pavlefshëm.

Kurse në aktgjykimin e plotë, Kushtetuesja fillimisht e kishte definuar se të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit e ka Grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast nënkuptonte PDK-në. Kurse më poshtë, kërkonte që deputetët të gjejnë zgjidhje kushtetuese.

Duke u nisur nga ky aktgjykim, në seancën e 18 shtatorit PDK ka konfirmuar se do të nominoj për kryetar të Kuvendit, deputetin e saj Arsim Bajrami. Kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ka paralajëmruar se do të nominoj sërish për këtë post,liderin e LDK-së, Isa Mustafën.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG