Ndërlidhjet

Seanca e të enjtes në pikëpyetje


Kuvendi i Kosovës ka pak gjasa që të mblidhet edhe këtë javë, pavarësisht mbledhjes së nënshkrimeve nga blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, që kjo seancë të thirret për ditën e enjte, më 9 tetor.

Partia Demokratike e Kosovës si Grupi më i madh parlamentar, që është përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ka paralajmëruar se do të marr pjesë vetëm në seancën që do të thirret nga kryesuesja Flora Brovina.

Andaj, në vend të debatit që blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje e kërkojnë në Kuvend, PDK kërkon që negociatat të zhvillohen paraprakisht.

Zyrtarë të PDK-së të kontaktuar nga programi ynë, kanë rikujtuar se nuk ka devijim nga deklaratat që lideri i kësaj partie dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi i ka bërë gjatë fundjavës.

Thaçi kishte ftuar të gjitha partitë parlamentare të ulen dhe së bashku të gjejnë zgjidhje, duke parashikuar se negociatat ndër partiake do të krijonin rrethana edhe për lëshime e kompromise politike.

"Kemi pasur situata jo të këndshme edhe në të kaluarën, por gjithmonë jemi ulur, kemi diskutuar dhe kemi gjetur zgjidhjet më të mira për vendin edhe për shoqërinë. Në kuadër të këtij komunikimi të brendshëm ndër-partiak të gjendet zgjidhja, të arrihet marrëveshja dhe dihet që me marrëveshje askush nuk mund të realizon 100 për qind atë që dëshiron", kishte deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, grupimi i partive që synojnë t'i ndërtojnë institucionet e reja pa e përfshi PDK-në në postet udhëheqëse, kanë mbledhur 62 nënshkrime duke kërkuar që seanca të thirret për të enjten. Mirëpo, aktualisht Kuvendi nuk ka Kryetar e as Kryesi.

Andaj mbetet për interpretim se si do të procedohet kjo kërkesë e koalicionit pas zgjedhor, pasi që kryesuesja e seancës, Flora Brovina u ka kërkuar partive parlamentare që të arrijnë së pari marrëveshje para se të thirret vazhdimi i seancës konstituive.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se rrethanat e krijuara mundësojnë edhe thirrjen e seancës së me anë të nënshkrimeve.

"Neni 66 i Kushtetutës flet edhe për mundësinë që Kuvendi të mblidhet vet. Po ashtu, e njëjta Kushtetutë sqaron që përmes 40 nënshkrimeve deputetët mund të thërrasin seancë të jashtëzakonshme. Unë mendoj që bllokada institucionale që PDK-ja po e bën, e krijon atë situatë të jashtëzakonshme që na lejon neve që me 40 nënshkrime ta thërrasim vazhdimin e seancës", ka thënë Osmani.

Në Kuvendin e Kosovës përfaqësohen edhe 20 deputetë nga radhët e pakicave.

Grupet e tyre parlamentare janë deklaruar se do të merrnin pjesë në seancën e thirrur nga opozita vetëm nëse ajo do të vlerësohet se është në harmoni me Rregulloren e punës dhe Kushtetutën.

Thirrja e seancës pa Partinë Demokratike të Kosovës është parë si një mision i pamundur edhe nga analistë të ndryshëm politik.

Marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i njeh vetëm PDK-së të drejtën e propozimit të kandidaturës për kreun e Kuvendit, analistët kryesisht kanë mbështetur zgjidhjen që PDK të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, të provoj formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën konstituive nga 17 korriku. Mirëpo kjo seancë mbetet e papërfunduar pasi që grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, PDK-ja, nuk po arrin të zgjedh kryetarin e Kuvendit për mungesë të votave, përderisa koalicioni pas zgjedhor LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, ndonëse ka krijuar një shumicë në Kuvend, nuk po gjen hapësirë kushtetuese për të marrë këtë post.

XS
SM
MD
LG