Ndërlidhjet

Sigurimet shëndetësore, vitin e ardhshëm?


Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte deklaruar kohë më parë se në vitin 2015 qytetarët e Kosovës do të pajisen me kartelën e sigurimeve shëndetësore.

Por, ekspertët e shëndetësisë shprehin skepticizëm rreth fillimit të implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore për shumë arsye.

Haxhi Avdyli, neurokirurg, njëherësh ekspert i shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk e ka pasur prioritet sistemin shëndetësor.

Sipas tij, ky ligj për shumë arsye nuk do të mund të fillojë së implementuari në fillim të vitit të ardhshëm, ashtu siç është paraparë.

"Lajmi për reformën shëndetësore gjithsesi ka qenë një lajm i mirë. Është kryer një reformë legjislative e duhur, me aprovimin e ligjit për sigurime shëndetësore, dhe është krijuar një bazë për reformë në shëndetësi, por ne në Kosovë nuk vuajmë për ligje, por për implementimin e tyre".

"Edhe Ligji për sigurime shëndetësore po shfaq shenjat e para të problemeve në implementimit të saj. Fajtore e shoh Qeverinë e Kosovës, e cila asnjëherë nuk ka treguar interes për reformë në shëndetësi. Kjo qeveri nuk ka shprehur vullnet që të merret drejtpërdrejt me këtë reformë, dhe kjo ka për t'u zgjatur dhe sigurimet shëndetësore nuk kanë për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi dhe vjeljen e të ardhurave në shëndetësi", shprehet Avdyli.

Edhe pse Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në anën tjetër, Arsim Çavderbasha, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, bën të ditur se janë duke punuar në këtë drejtim, që mbledhja e premiumeve të fillojë me 1 janar të vitit 2015, ashtu siç është paraparë.

"Ne po përpiqemi maksimalisht për t'i përgatitur të gjitha kushtet për mbledhjen e premiumeve prej datës 1 janar. Ne po përpiqemi të organizojmë dhe qasjen që e kemi në këtë pikë; është zhvillimi i sistemit informativ të fondit, i cili na lejon identifikimin e paguesve të premiumit dhe vërtetimin e të dhënave në data qendrën".

"Pra, zhvillimi dhe operacionalizimi i data qendrës deri me 1 janar. Nëse për shkaqe objektive nuk do të mundemi të fillojmë me 1 janar, kjo do të mund të shtyhet për më së shumti tre muaj. Por gjithsesi me 31 mars 2015 do të fillojë mbledhja e fondeve", thotë Çavderbasha.

Por, zoti Avdyli thotë se janë shumë skeptik se do të fillojë implementimi i Ligjit për sigurime shëndetësore në muajt e parë të vitit 2015.

"Në bazë të vëzhgimeve tona dhe grupit të ekspertëve të shëndetësisë, po e shohim që ky ligj do të prolongohet dhe nuk do të fillojë si duhet vjelja e premiumeve dhe kjo shtyrje do të shkaktojë probleme të mëtutjeshme. Kur ja shtojmë kësaj edhe ngërçin politik që ka Kosova, kjo na bën edhe më shumë skeptik", thekson Avdyli.

Derisa zoti Cavderbasha thotë se ngërçi politik nuk ka ndikuar në punën e tyre.

"Ngërçi politik nuk ka influencë. Ne jemi në punë të vazhdueshme që puna të fillojë sa më shpejtë, por është zhvillimi i softuerit që na merr pak kohë. Por ngërçi politik nuk ndikon në mos punën tonë", bën të ditur ai.

Sidoqoftë, kostoja e Ligjit për vitin 2015, siç ka deklaruar ministri në detyrë Ferid Agani, llogaritet të jetë rreth 17 milionë euro si kosto direkte për sektorin publik, dhe si kosto indirekte rreth 14 milionë euro për sektorin privat.

Por, ai ka sqaruar se qytetarët e Kosovës janë të obliguar të paguajnë në fondin e sigurimeve shëndetësore kontributin e tyre, duke shtuar se ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë obligim e kanë paraparë ta merr përsipër Qeveria e Kosovës.

XS
SM
MD
LG