Ndërlidhjet

Reformë ligjore, e pavërejtur në praktikë


Ilustrim
Ilustrim
Sistemi shëndetësor në pesë vjetët e fundit, që prej kur Kosova është shpallur shtet i pavarur, është përmirësuar, krahasuar me vitet paraprake, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Sipas Aganit, lëvizjet pozitive që e kanë reformuar sistemin shëndetësor bazohen në disa fusha duke u rrumbullakuar me kornizën legjislative.

Ai flet për Radion Evropa e Lirë, lidhur me të arriturat që sistemi shëndetësorë ka pasur gjatë këtij viti.

"Në muajt e fundit të këtij viti, reforma e projektuar që nga ditët e para të mandatit tim, ka filluar të japë rezultatet e veta. Korniza legjislative është duke u rrumbullakuar. Është miratuar ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, në bazë të këtij ligji është themeluar Oda e Mjekëve, vazhdojmë edhe me themelimin e katër odave të tjera".

"Është miratuar ligji për shëndetësi, i cili veç ka filluar t'i ketë rezultatet e veta duke i punësuar specialistët e rinj, dhe tash kemi vetëm rreth 50 specialist të papunë në nivel vendi. Më tutje ky ligj ka mundësuar të riorganizojmë QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme në vend , shërbimin spitalor dhe klinik universitar të Kosovës, është miratuar statuti i këtij shërbimi dhe jemi duke e konstituuar bordin drejtues të këtij shërbimi dhe kam pritje shumë të mëdha nga ky bord", shprehet Agani.

Por, sindikalistët e shëndetësisë nuk e shohin sistemin shëndetësor të reformuar. Ata thonë se këtë vit është punuar në infrastrukturë ligjore, derisa në praktikë e gjitha po dështon.

Blerim Syla, jep hollësi të tjera.

"Është punuar në infrastrukturën ligjore, por në praktikë është duke dështuar. Fakt për këtë e kemi edhe situatën aktuale në shëndetësi, në QKUK , apo edhe përzgjedhja e drejtorëve në QKUK, të cilët pretendohet të zgjedhjet me ligjin e ri, mirëpo në Kosovë ne ende vazhdojmë të funksionojmë me ushtrues detyre nëpër spitale. Në momentin kur menaxhmenti po dështon, edhe vetë sistemi nuk është duke shkuar ashtu siç duhet".

"Edhe ligji për shëndetësi dhe themelimi i odave të mjekëve ka dështuar, sepse kanë hyrë me vende të rezervuara dhe anëtarët në të, shihet që ajo odë është e tej politizuar, janë zgjedhur kryetar me dy nënkryetar, dy minoritete dhe dy anëtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe vetëm tre përfaqësues për 120 mjekë anëtar të odave dhe kjo tregon mjaft", thotë Syla.

Por zoti Agani, ka deklaruar se reforma nuk është çështje e një viti, por se ajo ka filluar të ndodhë, dhe sipas tij sistemi shëndetësor ka filluar hapat e parë të reformimit të saj.

"Në rrafshin e shëndetit publik po e zbatojmë ligjin për kontrollin e duhanit, në vende publike, dhe jemi të kënaqur se si po respektohet përkundër disa vështirësive dhe kemi një ndryshim substancial në këtë rrafsh. Mendoj se me këto ndryshime të cilat janë evidentë, reforma ka filluar të ndodhë".

"Normalisht reforma nuk është çështje e një viti, reforma është një proces afatgjatë, nuk është e lehtë, nënkupton shumë ndryshime. Dhe unë ju thashë ato pikat kryesore në të cilat reforma është duke u zhvilluar, por janë shumë zhvillime të tjera që janë më të detajizuara por janë të rëndësishme", thekson Agani.

Derisa zoti Syla mendon se shëndetësia kosovare nuk është prioritet i udhëheqësve .

"Unë mendoj që sistemi shëndetësor duhet gjithsesi të merret pak më seriozisht , menaxhmenti duhet të ndryshojë qasjen ndaj punëtorëve shëndetësor, dhe mendoj se edhe ligji për sigurime shëndetësore që do të miratohet do të dështojë nëse vazhdohet me këta mjekë", bën të ditur Syla.

Në anën tjetër, drejtori shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Nexhmedin Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se reforma shëndetësore gjatë këtij viti ka qenë e dukshme dhe shumë e fuqishme, krahasuar me vitet paraprake.

"Këtë vit ka filluar të implementohet ligji për shëndetësi, ligj ky që është gjithëpërfshirës dhe në aspektin e detajeve të imtësuara që mund të funksionalizojë sistemin shëndetësor në tërësi në Kosovë. Është miratuar gjithashtu ligji për odat e mjekëve që është një reformë e re për opinionin shëndetësor kosovar. Ka filluar edhe përgatitja për ligjin për sigurimet shëndetësore".

"Gjitha këto reforma ligjore të këtij viti kanë pasur ndikim dhe ecuri edhe në punën e mjekëve në QKUK. Pas shumë vitesh kemi publikuar edhe konkursin që do të nxjerrim edhe drejtorët e institucioneve shëndetësore, përkatësisht klinikave, bazuar në këto rrethana. Risia tjetër është se që nga viti i ardhshëm do të fillojë edhe reforma praktike. Projektet pilot do të implementohen vitin tjetër", thotë Shala.

Sidoqoftë, ministri Ferid Agani ka thënë se me miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore, e që pritet që ky ligj të dërgohet në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2014, do të sigurohet decentralizimi i financimit të sektorit shëndetësor, nga financimi vetëm nga buxheti, me një buxhet miks nga buxheti dhe fondi, dhe shuma që do të arrihet nga buxheti total pritet të jetë 250 milionë euro, nga 150 sa ishte deri tani.
XS
SM
MD
LG