Ndërlidhjet

Nga futbolli te rivaliteti etnik në Ballkan


Nxënësit në mbështetje të Kombëtares
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Nxënësit në mbështetje të Kombëtares

Në Prishtinë dhe Kosovë në përgjithësi, ka vazhduar atmosfera e ndeshjes e së martes në Beograd ndërmjet kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u ndërpre në minutën e 42-të.

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, në Kosovë nga shumëkush shihet si një përfaqësuese e gjithë shqiptarëve, çka ishte dëshmuar me praninë e madhe të tifozëve nëpër të gjitha qytetet e Kosovës të grumbulluar nëpër sheshe, kafiteri, por edhe ambiente familjare. Ndërkaq nëpër dritare të shtëpive e banesave ende shihen flamuj shqiptar.

Që nga mëngjesi, në sheshin e Prishtinës kanë defiluar nxënës të shkollave të mesme, duke brohoritur, "Shqipëri etnike", "Krenar të jesh shqiptar", e të ngjashme.

Atmosfera, filloi para dhe pas ndërprerjes së ndeshjes dhe zgjati deri në orët e hershme të mëngjesit. Ndonëse vendimin rreth kësaj ndeshje do ta jap komisioni disiplinor i UEFA-s, tifozët në Prishtinë besojnë se fitorja duhet t'i takoj Shqipërisë me rezultatin zyrtar 3 me 0, pasi që nikoqiri nuk kishte krijuar kushte për lojë.

Rron Berisha, një i ri nga Prishtina, i cili kishte ngjyrosur fytyrën me ngjyrat kuq dhe zi, thotë se takimi i të martës në Beograd ishte një përjetim i veçantë për të gjithë tifozët shqiptarë që e përcillnin ndeshjen nga ekranet televizive..

“Ndjenjë e paharruar. Kjo sot, ka qenë gjithçka dhe jo vetëm lojë e futbollit. Nuk harrohet kurrë kjo natë. Por, sa ishim duke luajtur si më mirë, u ndërpre loja. Ashtu e bën punën ata. Por, prapë mirë, sepse ne po fitojmë”.

Edhe, Mentor Gjergjaj, student nga Gjakova, mendon se takimi ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë më tepër ka shpërfaqur rivalitetet ndërmjet popujve se sa rivalitetin sportiv.

“Ka qenë shumë e ashpër. Më tepër ka qenë rivalitet i dy kombëtareve, në kuptimin e mëhershëm të historisë së tyre, se sa që ishte lojë e paqes, lojë futbolli”.

Një tifoze tjetër e kombëtares shqiptare, Erita, studente në fakultetin e arkitekturës thotë se ndeshjen e kishte shikuar së bashku me kolegët e fakultetit. Sipas saj, ndërprerja e ndeshjes ishte e shëmtuar për sportin.

“Jemi mbledhur te fakulteti jonë dhe e kemi shikuar ndeshjen. Kemi këtu edhe studentë internacional, prej Holandës dhe Spanjës. Nuk na pëlqeu loja për shkak se u ndërpre. Por, pjesa e flamurit ka qenë më e mira”.

Ndeshja Serbi - Shqipëri, shpërfaqi edhe njëherë raportet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka ftuar Kombëtaren shqiptare që të vij në Prishtinë. Kurse ka porositur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që të anulojë dhe të mos shkojë në vizitën e planifikuar në Beograd.

Në anën tjetër, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë shprehur keqardhje për incidentin, ndërkaq kanë inkurajuar kryeministrin Rama që të shkoj në Beograd.

Takimi Serbi-Shqipëri u ndërpre në minutën e 42, pas hyrjes në fushë të tifozëve serb, të cilët sulmuan futbollistët shqiptarë.

E gjithë situata u përshkallëzua në incident pas hedhjes së mjeteve piroteknike në fushë, si dhe paraqitjes së një flamuri mbi të cilin dukej një hartë e të quajturës “Shqipëri etnike”, i cili bartej nga një mjet fluturues i teledirigjuar mbi stadiumin ku po zhvillohej ndeshja.

Pas pauzës prej rreth 50 minutash, takimi u shpall e mbyllur nga delegati i UEFA-s për këtë takim.

Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe kishte raportuar se në pjesën jugore të stadiumit, tifozët brohorisnin: "Vrisni, preni shqiptarët që ata të mos ekzistojnë", "Vrani shqiptarët", "Shkoni në Kosovë", dhe thirrje tjera fyese.

Drejtori i Programit për Ballkanin Perëndimor dhe Mbrojtjen e të Drejtave Civile në Beograd, Goran Miletiq, ka shkruar në në Tëitter se më fyese është të thuash “Vritni shqiptarët” se sa shfaqja e flamurit shqiptar.

Harry Been, delegat i UEFA-s në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin evropian të futbollit, ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, që është ndërprerë mbrëmë vonë në minutën 42, ka vlerësuar se kjo ishte një situatë “për keqardhje”.

“Ne kemi një situatë për keqardhje, për të cilën ne do të raportojmë, zyrtarët e UEFA-s që ishim këtu, referi, unë dhe këshilltari i sigurisë. Rrethanat ishin të tilla sa që ne nuk kemi mundur ta vazhdojmë ndeshjen", ka thënë Been, në një konferencë për gazetarë në Beograd.

Ndryshe, ndeshja Serbi –Shqipëri ishte në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian të futbollit që do të mbahet në vitin 2016 në Francë.

XS
SM
MD
LG