Ndërlidhjet

Jahjaga kërkon nga liderët të gjejnë më shpejt zgjidhjen


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk ka marrë ende ndonjë opsion nga partitë politike se si të tejkalohet kriza rreth formimit të institucioneve të reja.

Pas përmbylljes së rrethit të ri të bisedimeve me liderët partiak, Partia Demokratike e Kosovës në njërën anë dhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje, në anën tjetër, vetëm i kanë përsëritur qëndrimet dhe pozicionet e tyre fillestare.

Ndërkaq Jahjaga u ka bërë me dije sërish liderëve partiak se zgjidhja duhet të gjendet në mënyrë që vendi të mos shkoj në zgjedhje.

“Liderët e partive politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje konform kuadrit kushtetues dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke iu përmbajtur parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes.

Aty thuhet po ashtu se Kosova nuk mund të lejojë krizën politike, financiare e buxhetore, sepse kjo do t'i dëmtonte qytetarët edhe partneritetin strategjik ndërkombëtar.

Pas takimeve të ndara që zhvilloi të mërkurën me liderët e PDK-së, Vetëvendosjes dhe partisë Nisma, të enjten Jahjaga priti në takime të veçanta edhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas takimit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur se zgjidhja duhet të gjendet duke respektuar sistemi parlamentar ku vendos shumica në Kuvend. Sipas tij, blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje e përbëjnë këtë shumicë, andaj i ka kërkuar që PDK-së që të tërhiqet.

“Zgjidhja duhet të jetë vullnet i të gjitha palëve dhe vullnet i koalicionit pas zgjedhor LDK- AAK-Nisma, por para së gjithash, vullnet i PDK-së dhe koalicionit të saj, për arsye se ata edhe pse kanë dal partia e para, nuk kanë partner të koalicionit dhe nuk mund të qeverisën pa e pasur shumicën në Kuvend”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përmendur vetëm opsionin që ka ofruar koalicioni pas zgjedhor për formimin e institucioneve. Edhe Haradinaj ka ritheksuar se blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje e ka shumicën dhe mund t'i formoj institucionit.

"Ata që kanë krijuar shumicën, e fitojnë të drejtën t'i formojnë institucionet, kurse ai që ka dështuar të krijoj apo t'i takoj një shumice, atëherë duhet të reflektoj dhe të hap krahun", ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, një ditë më herët, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi e ka përjashtuar mundësinë që të tërhiqet në opozitë. Ai sërish ka përsëritur se institucionet duhet të udhëhiqen nga partia e tij, si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në situatën bllokuese që është krijuar, analistët kishin parashikuar se zgjidhja mund të gjendet nëse blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, duke respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, t' i lëshon postin e kryetarit të Kuvendit PDK-së, kurse vet si shumicë parlamentare të provoj formimin e qeverisë.

Mirëpo, koalicioni pas zgjedhor, deri më tash e ka përjashtuar mundësinë e lëshimeve dhe kompromiseve me PDK-në.

Sidoqoftë, Presidentja Jahjaga i ka rikujtuar në partitë politike se mungesa e zgjidhjes mund të qoj vendin edhe në zgjedhje të reja.

XS
SM
MD
LG