Ndërlidhjet

Po lëkundet qëndrueshmëria e shtetit


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga

Kosova ka hyrë në një fazë kritike ku qëndrueshmëria e shtetit po lëkundet.

Një vlerësim i tillë, jepet nga Zyra e Presidentes Atifete Jahjaga, përmes zëdhënësit Arbër Vllahiu.

Andaj u kërkohet liderëve të partive politike që të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e krizës rreth formimit të institucioneve, para se vendi të kalojë në një krizë jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vllahiu ka rikujtuar se për një muaj, presidentja Jahjaga ka lehtësuar procesin, duke takuar liderët e partive politike në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes e cila do të respektonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Por, deri më tani, një zgjidhje e tillë nuk ishte ofruar.

" Vendi tani ka hyrë në një fazë kritike, kur qëndrueshmëria e tij po lëkundet, kur gjithashtu po rrezikojmë futjen në një krizë të thellë jo më politike, por buxhetore dhe financiare dhe kur po rrezikohet mirëqenia e qytetarëve. Mos të harrojmë se pa konstituimin e Kuvendit nuk do të mund të miratohet ligji për buxhetin, i paraparë nga fundi I muajit nëntor dhe kjo nënkupton që nuk mund të garantojmë funksionimin e shtetit", ka deklaruar Vllahiu.

Takimet e deritashme të presidentes Jahjaga me liderët politik u zhvilluan ndaras, ndërkaq ka një ide që të organizohet edhe një takim i përbashkët i tyre në Presidencë.

Mirëpo, Vllahiu thotë po ashtu se për një takim të tillë, do të ishte e nevojshme që liderët të tregojnë gatishmëri për t'u ulur bashkë dhe ofruar zgjidhje.

"Takimi i përbashkët i liderëve të partive politike parlamentare duhet të përgatitet dhe njëkohësisht duhet gatishmëri e tyre për t’u ulur me qëllim të gjetjes së zgjidhjes. Paraprakisht duhet të krijohen kushtet për një takim të suksesshëm, që fillimisht rinis dialogun ndërmjet liderëve dhe qon drejt një pajtimi për zgjidhjen e problemit", ka theksuar Vllahiu.

Ndërsa vendi po shkon drejt bllokadës financiare e buxhetore për mungesë të miratimit të Ligjit për buxhetin, Vllahiu thotë se efektet e krizës po hetohen edhe në aspektin e përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit.

Presidentja Jahjaga, ka thënë Vllahiu, është detyruar që të anulojë tri vizita vetëm brenda muajit tetor, dhe rrjedhimisht është pamundësuar që ta përfaqësojë vendin jashtë.

"Nëse flasim për afate, atëherë realisht institucionet tashmë do të duhej të ishin funksionalizuar për të përmbushur obligimet ndaj qytetarëve fillimisht dhe pastaj edhe ato ndërkombëtare. Sa më gjatë të shkojë kjo situatë aq më e thellë do të bëhet kriza dhe aq më shumë do të rrezikohet mirëqenia e qytetarëve", ka deklaruar Vllahiu.

Nismat e presidentes Jahjaga për lehtësimin e një takimi ndërmjet të gjithë liderëve politik në vend, janë cilësuar si ta pa frytshme nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai dhe partnerët nga partitë politike Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje, kanë kërkuar që zgjidhja të gjendet në Kuvend.

Përderisa kryeministri në largim dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar sot duke iu drejtuar partive të bllokut pas zgjedhor se nuk mund të drejtojnë institucionet e reja si parti humbëse të zgjedhjeve.

"Por, fat të keq për vendin dhe qytetarët, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve, ndërtimi i institucioneve mbahet i bllokuar. Koha kur Kosova qeverisej nga liderë që përjetësisht nuk kanë arritur të fitojnë numra dyshifrorë në zgjedhje të lira, ka mbaruar përgjithmonë", ka shkruar Thaçi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Pozicionimet e kundërta ndërmjet PDK-së në njërën anë dhe bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje në anën tjetër, kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni dhe rrjedhimisht edhe formimin e qeverisë së re.

Nëse një bllokadë e tillë vazhdon, nga Zyra e Presidentes sërish sot është bërë me dije se atëherë do të konsiderohej që liderët do të pajtohen që vetëm zgjedhjet e reja mund të shihen si opsion për tejkalimin e gjendjes.

XS
SM
MD
LG