Ndërlidhjet

Një vit nga Euromaidani: Dhimbje, krenari, zemërim…


Ulyana Verbytska është e pikëlluar për babain e saj, Yuriy, një sizmolog nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv.

Në muajin janar, Yuriy Verbytskyy, 50 vjeç, ka marrë pushim nga puna dhe ka udhëtuar drejt Kievit për t’iu bashkuar protestave pro-demokracisë në Euromaidan. Ai ka ndihmuar në kuzhinën e kampit protestues, duke përgatitur sanduiçe për protestuesit dhe duke ngrohur ata me çaj të nxehtë dhe fjalë mbështetëse.

“Babai im ka qenë shumë i dashur”, thotë Ulyana, 26 vjeçe, e cila ka mbaruar studimet për arkitekturë në Lviv.

Më 22 janar, pasi protestat janë shndërruar në përleshje të dhunshme me policinë, Verbytskyy është gjetur i vdekur në një pyll jashtë Kievit, me shenja të tmerrshme të torturës. Ai ka qenë njëri nga viktimat e para të Euromaidanit.

“E kam ditur se është në Maidan dhe kam qenë e shqetësuar. Natyrisht, e gjithë familja ka qenë e shqetësuar”, thotë vajza e tij. Por, “në të njëjtën kohë, kemi mbështetur edhe protestat”, thotë Ulyana.

Verbytskyy, për herë të fundit, ka folur me vajzën e tij nga një spital në Kiev, ku ka trajtuar plagët nga një granatë e tymit. “Mos u shqetëso”, i ka thënë asaj – “çdo gjë është në rregull”.

Pak minuta më vonë, ai dhe aktivisti tjetër, Ihor Lutsenko, një gazetar i shquar, janë rrëmbyer nga spitali nga një grup burrash. Lutsenko është shfaqur të nesërmen, i rrahur por gjallë.

Ai ka thënë se rrëmbyesit i kanë rrahur vazhdimisht, i kanë torturuar dhe i kanë marrë në pyetje për Euromaidanin. Lutsenko ka arritur të dalë nga pylli, por Verbytskyy jo. Autopsia ka konstatuar se ai ka ngrirë nga të ftohtit.

Sot, të gjithë të dyshuarit për krimin, pos njërit, janë të lirë.

Sipas autoriteteve të reja të Ukrainës, vrasja e tij është autorizuar nga zyrtarët e ish-presidentit Viktor Yanukovych. Por, nga 13 të dyshuarit, vetëm një është në paraburgim, në pritje të gjykimit.

Vrasja e Verbytskyyt është në kundërshtim të madh me natyrën e tij paqësore. Ata që e kanë njohur, e përshkruajnë si njeri të butë, të kujdesshëm dhe me pasion për natyrën dhe alpinizmin. Ky përshkrim është shumë larg portretizimit që u bënte Yanukovych protestuesve. Ai i cilësonte ata si “radikalë të tërbuar nacionalistë”.

Pavarësisht të gjithave, vajza e tij, Ulyana, mbron idealet demokratike të Maidanit, ndërsa babanë e saj e sheh si “hero për të gjithë ukrainasit”.

“Besoj se babai im nuk ka vdekur kot, ai ka dashur një të ardhme më të mirë për Ukrainën”, thotë ajo.

Por, jo të gjitha familjet e viktimave të Euromaidanit kanë qenë në gjendje të kuptojnë humbjet e tyre. Harik Nihoyan është babai i demonstruesit të parë të vrarë.

Ky armen etnik, i cili ka imigruar në Ukrainë nga enklava e Nagorno Karabakut, më 1992, thotë se mendimi që djali i tij ka vdekur për Ukrainën, nuk e ngushëllon.

“Ndoshta Ukraina do të ketë një të ardhme të ndritshme. Ne e kemi humbur atë, pikë”, thotë Nihoyan.

Serhiy Nihoyan ka lënë shtëpinë e tij në Bereznovativka, një fshat i vogël jashtë qytetit Dnipropetrovsk, në fillim të dhjetorit të kaluar, për t’iu bashkuar protestuesve në Euromaidan.

I njohur për mjekrën e tij karakteristike, 21-vjçari shpejt është bërë punonjës në Sheshin e Pavarësisë, duke prerë drunj ose duke shërbyer si siguri. Ai ka vdekur më 22 janar, kur policia ka bastisur kampin protestues. Mjekët kanë thënë se ai është qëlluar disa herë në gjoks, kokë dhe qafë.

Prindërit e tij, të cilët thonë se nuk brengosen se kush është në krye të shtetit, kanë qenë kundër largimit të tij. Tani, ata akuzojnë ish-liderët e Euromaidanit, disa prej të cilëve mbajnë pozita në qeverinë e pas-Yanukovychit, se u kanë kthyer shpinën protestuesve të vrarë.

“Të gjithë kanë udhëhequr Maidanin, kanë dhënë udhëzime, por sot nuk brengosen. Askush nuk na ka thirur, askush nuk ka ardhur për të na parë, askush nuk ka bërë asnjë pyetje të vetme. Asgjë”, thotë Harik Nihoyan.

Megjithatë, miliona ukrainas pritet të nderojnë Nihoyanin këtë javë, së bashku me më shumë se 110 aktivistë të tjerë, të cilët kanë humbur jetën gjatë protestave.

Një shesh në qytetin perëndimor Berezhani ka marrë tashmë emrin e Nihoyanit dhe kompozitori ukrainas, Valentyn Sylvestrov, ka komponuar një himn në kujtim të tij.

Në Lviv, anëtarët e klubit të alpinistëve të qytetit planifikojnë të emërojnë një mal në lindje të Kaukazit sipas mikut të tyre alpinist, Yuriy Verbitskyy.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG