Ndërlidhjet

Koha e fundit për miratimin e buxhetit


Ilustrim
Ilustrim

Miratimi i Ligjit për Buxhetin e Kosovës duhet të jetë prioritet për autoritetet kompetente pas ndërtimit të institucioneve, pohojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Të mërkurën Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur një marrëveshje në parim, çka krijon mundësi për ndërtimin e institucioneve, proces ky që është bllokuar më tepër se pesë muaj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se vakuumi institucional ka krijuar zbrazëtira të shumta, zbrazëtira këto që urgjentisht duhet të zgjidhen.

Në rend të parë, konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për faktin se Kosova duhet të miratojë Buxhetin për vitin 2015, në mënyrë që të evitohet një krizë e rëndë financiare e buxhetore nga fillimi i vitit të ardhshëm.

"Krahas miratimit të buxhetit, janë sfida të shumta të natyrës ekonomike, mbi të gjitha është harmonizimi i legjislacionit, po ashtu më emërimin dhe kompletimin e bordeve të agjencive publike”, tha Gërxhaliu .

Edhe Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, konsideron se pas formimit të qeverisë se Kosovës miratimi i projekt buxhetit për vitin e ardhshëm duhet të jetë prioritet.

Bektashi, po ashtu thekson se autoritetet kompetente duhet të rrisin efikasitetin e punës në mënyrë që të evitohen problemet e krijuara nga ngërçi politik.

"Ky është një ndër ligjet kryesore në bazë të cilit mundësohet edhe funksionimi i shoqërisë kosovare. Unë ë besoi se ky ligj do të ketë edhe qëllimin zhvillimor me qëllim të realizimit të të gjitha projekteve të filluara dhe buxheti për vitin 2015 patjetër duhet të ketë disa komponenta që kanë të bëjnë më hapjen e vendeve të reja të punës dhe atë sociale”, tha Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fund të muajit të kaluar ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2015, kurse sipas procedurave ligjore, projekt-buxheti duhet të miratohet nga deputetet e Kuvendit të Kosovës deri në fund të dhjetorit.

Safet Gërxhaliu, konsideron se ndërtimi i institucioneve duhet të realizohet për një periudhë të shkurtër kohore, pasi, siç thotë ai, nuk ka më kohë për eksperimente por për veprime konkrete, sepse kriza politike ka grumbulluar probleme të shumta në rrafshin ekonomik.

“Shumë sfida tjera të cilat kërkojnë përkushtim. Dhe për ata që e kuptojnë seriozitetin e zhvillimit ekonomik në vitin 2015 kur e gjithë Evropa dhe bota ecin më një qetësi, Kosovës i duhet të vrapoj 24 orë për të zënë hapin e trendëve ekonomike qoftë në nivel lokal, qoftë në nivel rajonal dhe evropian”, shprehet Gërxhaliu.

Buxheti për vitin 2015 parashihet të jetë 1 miliard e 576 milion euro, nga kjo vlerë 470 milion euro, apo 28 për qind e buxhetit janë paraparë të investohen në projektet kapitale.

XS
SM
MD
LG