Ndërlidhjet

“Made in Kosova” kalon kufijtë vendor


Made in Kosova
Made in Kosova

Me gjithë deklarimet e autoriteteve kompetente se nuk mungojnë përpjekjet për përmirësim të ambientit afarist në Kosovë, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe disa pronarë të kompanive prodhuese pohojnë se edhe gjatë këtij viti, janë përballur më vështirësi në zhvillimin e veprimtarive të tyre.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit e quan vit jo të suksesit për prodhuesit vendor, pasi sipas tij, ky vit është karakterizuar me ngërçe politike, ekonomike, i shoqëruar nga konkurrenca e padrejtë dhe ekonomia joligjore.

Ai madje thekson se as në aspektin legjislativ nuk ka pasur përmirësime për shkak të mos krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e tetë qershorit.

Shahini ndërkaq thotë se asociacionet ekonomike, vazhdimisht kanë kërkuar përmirësim të sektorit prodhues në Kosovë.

“Kërkesat konkrete të bizneseve gjatë këtij viti kanë qenë që të ulen të gjitha taksat në kufi që mblidhen nga Doganat e Kosovës , sidomos për lëndën e parë dhe repromaterial por edhe për teknologji prodhuese".

"Të subvencionohen interesat bankare të cilat kanë qenë shumë të larta dhe të papërballueshme, të punohet më shumë në promovimin e bizneseve dhe artikujve të rinj të cilët ekonomia e Kosovë mund t'i ketë për çdo vit”, tha Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër pronarë të disa kompanive prodhuese në Kosovë shprehen se kompanitë në forma individuale kanë pasur përmirësime, por në përgjithësi kushtet e ndërmarrjeve prodhuese janë të vështira krahasuar më vendet e rajonit.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë.

Pronari i saj Shaqir Palushi, thotë se gjatë këtij viti ka pasur përmirësime sa i përket mos pagesës se një pjesë të lëndës se parë të importuar nga vende të ndryshme të Evropës.

Ai madje tregon se gjatë kësaj periudhe ka arritur që të gjej edhe tregje tjera ndërkombëtare.

Kjo ndërmarrje prodhimet i eksporton në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe në Austri, Itali dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë këtij viti kemi gjetur tregje të reja, siç është Afrika, pastaj në sasi ë të vogla në Francë, Belgjikë dhe Britani të Madhe”, thekson Palushi.

Një kompani tjetër “Frutomania” që merret më prodhimin e lëngjeve nga frutat e shtrydhura, që tashmë ka mbuluar pothuajse tregun vendor, dhe një pjesë të tregut rajonal, thotë se nuk kanë problem me taksat për lëndën e parë, pasi kjo lëndë sigurohet nga mbi 450 fermerë kosovarë.

Por, Alban Ibrahimi pronar i kësaj kompanie, si problem vlerëson qasjen në financa dhe kopjimin e produkteve origjinale nga kompani të ndryshme.

“Agjencitë e pavarura duhet të përfundojnë punën dhe të krijojnë kushte për operim normal të bizneseve. Për shembull, agjencitë kompetente të jenë më aktiv në gjetjen e falsifikanteve, konkurrentëve jolegal të brendshëm por edhe të jashtëm, po them edhe të brendshëm sepse ka kompani edhe brenda Kosovës që falsifikojnë dhe mashtrojnë konsumatorin”, tha Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë,raportet ndërkombëtare flasin se ka përmirësim në fushën e të bërit biznes në Kosovë.

Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes” për vitin 2015, e ka ranguar Kosovën në pozitën e 75-të, duke shënuar ngritje prej 11 pozitash në krahasim me vitin 2014.

XS
SM
MD
LG