Ndërlidhjet

Jabllanoviq nuk pajtohet me vendimin e Mustafës


Aleksandar Jabllanoviq, foto nga arkivi
Aleksandar Jabllanoviq, foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka konfirmuar se ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, nuk është më pjesë e kabinetit qeverisës.

Largimi i Jabllanoviqit nga qeveria ka pasuar protestat dhe trysninë e fuqishme të opozitës për shkak të një deklarate që Jabllanoviq kishte bërë më 6 janar. Ai i kishte cilësuar si "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Gjatë një konference të jashtëzakonshme për gazetarë, kryeministri Mustafa, nuk ka dhënë shumë detaje rreth largimit të Jabllanoviqit, por ka konfirmuar se ai më nuk është pjesë e Qeverisë së Kosovës.

"Jemi ballafaquar me kërkesa të protestuesve, në dy protestat e kaluara sa i përket Trepçës dhe ministrit Jabllanoviq. Unë mund t'ju njoftoj se ministri Jabllanoviq nga sot nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar", ka deklaruar Mustafa.

Ndonëse Mustafa nuk kishte sqaruar nëse Jabllanoviq kishte dhënë dorëheqje apo ishte shkarkuar, më pas vet Jabllanoviq ka kundërshtuar këtë vendim, me çka ka lënë të nënkuptohet se nuk bëhej fjalë për dorëheqje.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Jabllanoviq ka thënë se vendimi i kryeministrit, për Listën Serbe, "është thellësisht dëshpërues".

"Vendimi i kryeministrit është diçka të cilën ai vetë e ka vendos dhe për ne është i papranueshëm", ka thënë Jabllanoviq.

Sipas tij, vendimi i Mustafës shpreh nënshtrimin e tij ndaj presioneve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurse rreth efekteve që mund t'i ketë vendimi i Mustafës në ruajtjen e koalicionit të Listës Serbe në kuadër të Qeverisë së Kosovës, Jabllanoviq ka deklaruar se vendimi do të merret ditëve në vijim.

Vendimi i Isa Mustafës ka ndikuar edhe në shtyrjen e protestës së paralajmëruar për të mërkurën nga opozita.

Lëvizja Vetëvendosje, ka pritur vendimin e Mustafës dhe më pas, përmes një konference për gazetarë, nënkryetari i saj, Visar Ymeri ka kumtuar se protesta është shtyrë për afat të pacaktuar.

Opozita tani insiston që qeveria të plotësojë edhe kërkesën e dytë, që ka të bëjë me nxjerrjen e Ligjit për Trepçën me të cilin ky kombinat do të shpallej ndërmarrje e veçantë publike.

Nëse kjo kërkesë nuk plotësohet, Vetëvendosje dhe pjesa tjetër e opozitës paralajmëron protesta tjera ditëve të ardhshme.

Më 27 janar, në protestat që u mbajtën në Prishtinë, ku opozita kishte kërkuar shkarkimin e Jabllanoviqit dhe nxjerrjen e ligjit për Trepçën, situata kishte eskaluar në përleshje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe policisë, që si rrjedhojë solli dhjetëra persona të lënduar nga të dyja palët.

XS
SM
MD
LG