Ndërlidhjet

Çka pas Jablanoviqit?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Pas shkarkimit të Aleksandar Jablanoviqit nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Lista Serbe paralajmëroi se lidhur me hapat e mëtutjeshëm të saj do të konsultohet me Beogradin zyrtar.

Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, shqiptarë dhe serbë, nuk presin ndonjë zhvillim, i cili do t’i acaronte edhe më tej raportet e Listës Serbe me institucionet e Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Beogradi zyrtar nuk do të pajtohet plotësisht me largimin e Jablanoviqit nga Qeveria e Kosovës, por, po ashtu, do të ngulë këmbë dhe do ta shndërrojë në kusht të Listës Serbe çështjen e Jablanoviqit.

“Ata do të synojnë që këtë largim ta kapitalizojnë me ndonjë kërkesë ndaj Qeverisë së Kosovës, por edhe Beogradi e di se Lista Serbe është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm për balancat etnike në Kosovë. Prandaj, janë të sigurt se edhe ndërkombëtarët do ta kenë një qasje balancuese në mes të kërkesave të Qeverisë (së Kosovës) dhe Listës Serbe”, vlerëson Muhaxhiri.

Njohësi serb i zhvillimeve politike nga Graçanica, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë kompromis të madh ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, lidhur me çështjen Jablanoviq. Sipas tij, pritet që kjo temë të jetë e mundshme për t’u diskutuar më 9 shkurt, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, sipas tij, kjo temë do të jetë në margjina të këtij takimi.

“Mendoj se Lista Serbe është marrë vesh në Beograd që të blihet pak kohë dhe për atë periudhë, të bëhen konsultime të caktuara. Me siguri që Vuçiqi dhe Isa Mustafa, në Bruksel do t’i shkëmbejnë pikëpamjet e caktuara dhe me siguri se do të caktohet personaliteti tjetër, i cili do ta zëvendësojë Jablanoviqin. Mendoj se këtu do të përfundojë i gjithë rrëfimi”, konsideron Nojkiq.

Por, analisti Muhaxhiri vlerëson se Beogradi dhe Lista Serbe nuk do të lejojnë që Jablanoviq të largohet krejtësisht nga skena politike, sepse, një gjë e tillë, siç thotë ai, do të shënonte triumfin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila edhe përmes protestave ka kërkuar shkarkimin e Jablanoviqit nga Qeveria e Kosovës.

“Nuk besoj që kjo është e mundur, sepse me largimin e Jablanoviqit, Lista Serbe do të dukej e pafuqishme. Kështu që ata do të synojnë dhe do të insistojnë që Jablanoviq të sistemohet diku tjetër, në mënyrë që të mos ketë as humbës të plotë, e as fitues të plotë. Pra, që edhe largimi i Jablanoviqit të relativizohet në raport me spektrin politik kosovar”, shton Muhaxhiri.

Megjithatë, Nojkiq vlerëson se shkarkimi i Jablanoviqit nga Qeveria e Kosovës do ta ketë ndikimin e vet, por jo aq të madh sa Lista Serbe ta rrezikojë funksionimin dhe qëndrueshmërinë e kësaj Qeverie.

“Nuk e di se si do ta rrezikonte Qeverinë e Kosovës, kur ajo e ka shumicën e qëndrueshme dhe asgjë nuk varet nga Lista Serbe”, theksoi Nojkiq.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë theksuar se javën që vjen, do të mbahet edhe një takim me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për të vendosur për pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG