Ndërlidhjet

Shtatë vjet shtet


Kosova shënon sot 7 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Kësaj radhe megjithatë kremta e pavarësisë po kalon në frymën e diskutimeve mbi migrimin e paligjshëm të disa mijëra qytetarëve të Kosovës.

Ky fenomen, sipas shoqërisë civile vjen si rezultat i gjendjes së rënduar sociale dhe humbjes së besimit në institucione.

Festa e pavarësisë, po shënohet pak kohë pas çarjeve të thella të spektrit politik, në pushtet dhe opozitë që u reflektuan edhe me protestat e fundit që rezultuan në dhunë të hapur mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Raportet e tensionuara ndërmjet pushtetit dhe opozitës po reflektohen edhe në festën e këtij viti.

Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga një politikan opozitar, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka anuluar gati se të gjitha aktivitetet e zakonshme festive në kryeqytet.

Kurse nga institucionet qendrore, në agjendë janë vënë homazhet e liderëve institucional te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe Kompleksi Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, si dhe është caktuar mbajtja e një seance solemne të Kuvendit të Kosovës.

Këtë përvjetor, në Prishtinë nuk do të parakalojnë trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Vitin e kaluar, ish-kryeministri Hashim Thaçi, kishte premtuar se parakalimi i vitit 2014, do të ishte i fundit për FSK-në, pasi që më 2015, sipas tij, do të parakalonte Ushtria e Kosovës me emrin Forcat e Armatosura të Kosovës. Megjithatë, një premtim i tillë ka mbetur ende vetëm në letër.

Për 7 vjet pavarësi, Kosova u njoh nga 108 vende të botës si dhe siguroi anëtarësimin në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Me të gjitha vështirësitë, Kosova vazhdon të shënojë një rritje ekonomike prej afër 4 për qind, sado që ekspertët e vlerësojnë si të pamjaftueshme për zhvillimin e saj ekonomik dhe zbutjen e papunësisë.

Krijimi i shtetit të Kosovës, është vlerësuar se i ka dhënë një dimension të ri paqes e stabilitetit në rajon.

Por, pengesë kryesore mbeten raportet me Serbinë, të cilat tashmë po reflektojnë edhe në mospërmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Mosnjohja nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, në njërën anë dhe pamundësia që të bëhet vend anëtar i Kombeve të Bashkuara për shkak të mosnjohjes nga vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit si Rusia, por edhe Kina, e lënë Kosovën si një vend me subjektivitetin ndërkombëtar të papërfunduar.

Që ky hendek të ngushtohet sadopak, Bashkimi Evropian ka inicuar tashmë një dialog Kosovë – Serbi përmes së cilit po përpiqet të arrijë një normalizim raportesh mes dyja vendeve, si hapi i parë që do të qonte kah zbutja e qëndrimeve të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën në të ardhmen.

Bashkimi Evropian i ka hapur perspektivën e kushtëzuar evropiane Kosovës përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimit të vizave, ndonëse të dyja këto procese po zgjasin dukshëm më shumë sesa që kanë premtuar institucionet e Kosovës.

Nga aspekti i zhvillimit të brendshëm, përveç sfidave të vazhdueshme të shtrirjes së sovranitetit në veri, Kosova po ballafaqohet edhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Periudha mes kremtimit të 6 dhe 7 vjetorit të pavarësisë, u karakterizua edhe me fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftë në Siri e Irak. Rreshtimi i tyre ishte në krah të organizatave të shpallura terroriste si forcat militante te shtetit islamik apo edhe organizatës Al Nusra.

Më 11 gusht, Policia e Kosovës kishte arrestuar 40 persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, pas bastisjeve të kryera në 60 lokacione.

Problemin me ekstremizmin islam e ka adresuar në shumë raste edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ajo në disa raste e ka përsëritur se Kosova “nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe ritheksoi qëndrimin se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues”.

Sidoqoftë, lënë anash krizën politike, thellimin e varfërisë, ekstremizmin dhe migrimet ilegale, periudha mes 6 dhe 7 vjetorit të pavarësisë do të mbahen në mend edhe për suksesin e sportit dhe sportistëve të Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Xhudistja Majlinda Kelmendi u shpall kampione e botës. Përderisa, pas negociatave të shumta, përfaqësueses së Kosovës në futboll iu lejuan ndeshjet miqësore nën emblemën e FIFA-s. Një sukses tjetër i madh në fushën e sportit për Kosovën ishte pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG