Ndërlidhjet

IS shkatërron qytetin 3,300 vjet të vjetër


Qeveria e Irakut ka bërë të ditur se militantët e Shtetit Islamik (IS) kanë nisur të demolojnë mbetjet e qytetit antik asirian, Nimrud, në veri të Irakut.

Ky është sulmi i fundit i tyre në trashëgiminë historike të vendit.

Ministria e Turizmit dhe Anitikiteteve ka bërë publik lajmin, duke thënë se militantët kanë nisur shkatërrimin pas lutjeve të mesditës, të enjten.

Zyrtarë të ministrisë kanë thënë se nuk e dinë ende shkallën e shkatërrimit të qytetit historik, i cili është themeluar 3,300 vjet më parë me emrin antik Kalhu dhe ka qenë njëri nga gurët e çmuar të epokës asiriane.

Drejtori i zyrës së UNESCO-s për Irakun, Axel Plathe, ka thënë se shkatërrimi i raportuar në Nimrud është një tjetër "sulm i tmerrshëm" mbi trashëgiminë e Irakut.

Shkatërrimi i mbetjeve të Nimrudit – që është emri i mëvonshëm arab i qytetit – vjen një javë pasi militantët e Shtetit Islamik kanë publikuar një video, e cila i tregon ata duke thyer artefakte të vlefshe asiriane në muzeun e Mosulit.

Zyrtarët irakianë druajnë se xhihadistët do të vazhdojnë të shkatërrojnë vende të tjera të trashëgimisë së lashtë të Irakut verior, përfshirë edhe qytetin Hatra, i cili është më shumë se 2,000 vjet i vjetër dhe nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Pjesa më e madhe e Irakut verior është nën kontrollin e IS-it qysh nga vera e kaluar.

Nimrud është konsideruar si një nga gjetjet më të mëdha arkeologjike të shekullit 20. Më 1988, një ekip i arkeologëve ka gjetur atje një koleksion të bizhuterive të lashta.

Bizhuteritë janë shfaqur për kohë të shkurtër në muzeun kombëtar të Irakut, para se ato të zhduken nga sytë e njerëzve. Megjithatë, ato u kanë shpëtuar plaçkitjeve të muzeve, që kanë pasuar pushtimin e Irakut nga Shtetet e Bashkuara, më 2003.

Koleksioni i çmuar është gjetur më pas në ndërtesën e bankës qendrore të Irakut.

Shumë prej artefakteve të vlefshme të Nimrudit janë zhvendosur në muzetë e Mosulit, Bagdadit, Parisit, Londrës dhe gjetkë.

Por, gurë të gdhendur dhe statuja në formën e demit me kokë njeriu kanë mbetur në vendin e rrënojave të qytetit.

Pasi Nimrud ka ekzistuar për rreth 400 vjet, qyteti është bërë kryeqyteti i dytë i Perandorisë së lashtë Asiriane, në vitin 879 para erës sonë.

Ai ka qenë kryeqytet asirian për rreth 170 vjet, derisa kryeqyteti është zhvendosur fillimisht në Dur Sharrukin dhe më pas në Nineveh.

Nimrud ka vazhduar të jetë qytet i madh asirian dhe rezidencë mbretërore derisa është shkatërruar gjatë rënies së Perandorisë Asiriane në shekullin 7 para erës sonë.

Rrënojat e Nimrudit kanë mbuluar një zonë prej 360 hektarësh.

Zona është ende qendër e madhe e popullsisë asiriane të Irakut, por që nga vera e kaluar, banorët e krishterë asirianë kërcënohen me ekzekutim nga militantët e Shtetit Islamik, nëse ata nuk konvertohen në Islam. (v.tela)

XS
SM
MD
LG