Ndërlidhjet

Mustafa në interpelancë për Gjykatën Speciale


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pritet të ballafaqohet me opozitën në Kuvend në lidhje me nismën për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Mustafa është thirrur në interpelancë nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse seanca ishte paraparë të zhvillohej këtë të premte, por për shkak të mungesës së kuorumit në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, caktimi i mbledhjes është shtyrë për javën tjetër.

Qeveria e Kosovës ka iniciuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.

Amandamentet e propozuara, aktualisht janë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Më pas, nëse marrin dritën jeshile nga Kushtetuesja, ato do t'i procedohen Kuvendit për harmonizim dhe amandamentim të Kushtetutës.

Ndryshimet kushtetuese në Kosovë mund të bëhen vetëm përmes votimit të dyfishtë, që nënkupton votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga pakicat.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se procedura në Kuvendin e Kosovës nuk ka të bëjë me marrëveshjet që mund të lidhen me një vend të tretë, që në këtë rast është Holanda, ku përflitet se do të jetë selia e kësaj gjykate.

Ai ka thënë se së pari duhet të amandamentohet Kushtetuta dhe hartohet statuti i gjykatës.

“Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kosovë dhe të atij statuti që duhet ta ketë Gjykata, më pastaj, Brukseli merret vesh me Holandën dhe jo Kuvendi i Kosovës. Kështu besoj që do të jetë dhe nuk kam dëgjuar që ka ndonjë bisedë ndërmjet Kosovës dhe Holandës sa i përket kësaj çështjeje", ka thënë Haliti.

Se a do të jetë selia e Gjykatës Speciale në Holandë, këtë nuk e ka konfirmuar të martën as Ambasadori i këtij vendi në Prishtinë, Robert Bosch.

Ai ka thënë vendimi fillimisht duhet të merret në Kuvendin e Kosovës për formimin e kësaj gjykate para se Parlamenti i Holandës të vendosë se a do të pranojë selinë e saj në Holandë apo jo.

Gjatë një ligjërate që u ka mbajtur studentëve të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, ambasadori Robert Bosch ka thënë se do të ishte gabim nëse refuzohet kjo Gjykatë nga ana e institucioneve të Kosovës.

"Refuzimi i Gjykatës do të ishte mjaft keq për vendin, pasi që atëherë çështja do të shkonte në Kombet e Bashkuara dhe më nuk do të ishte gjykatë e juaj, por e Kombeve të Bashkuara. Ju e dini se atje ka vende që nuk janë mike të Kosovës, por të cilat janë mjaftë me ndikim", ka deklaruar ambasadori Bosch.

Themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën, pason hetimet e iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E veçanta e kësaj gjykate, sipas njohësve të Drejtës dhe procedurave penale është se ajo do të jetë një lloj "mini" tribunali i ri ndërkombëtar, pasi që prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar të cilët do t'i trajtojnë rastet jashtë Kosovës.

XS
SM
MD
LG