Ndërlidhjet

Kompanitë e sigurimeve s'ia paguajnë obligimet Kryqit të Kuq


Ilustrim
Ilustrim

Kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Kosovë, nuk paguajnë obligimet ligjore që kanë ndaj Kryqit të Kuq të Kosovës, thonë udhëheqës të kësaj organizate.

Sipas Ligjit për Kryqin e Kuq, të miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2010, thuhet se nga një për qind e vlerës se sigurimit të çdo automjeti në Kosovë, duhet të shkojë në xhirollogarinë e Kryqit të Kuq.

Misioni i Kryqit të Kuq të Kosovës, është lehtësimi i vuajtjeve të individëve dhe bashkësive të rrezikuara përmes programeve të fokusuara, prioritare dhe të qëndrueshme, si ndihmesë e autoriteteve qendrore dhe lokale.

Adem Nura, udhëheqës i kësaj organizate humanitare, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kompanitë e sigurimeve tash e pesë vjet “asnjë cent nuk e kanë deponuar në xhirollogari të kësaj organizate”.

“Fatkeqësisht nga korriku 2010, kur është miratuar Ligji për Kryqin e Kuq në Kuvendin e Kosovës, kompanitë e sigurimeve asnjë cent nuk e kanë paguar, ndërsa e kanë obligim ligjor të paguajnë një për qind të sigurimeve të veturave”, ka thënë Nura.

Por, përfaqësues të industrisë së sigurimeve në Kosovë, tregojnë arsyet e mos-përmbushjes së këtij obligimi ligjor.

Rrahim Pacolli, nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, njëherësh udhëheqës i kompanisë “ Siguria”, për Radion Evropa e Lirë, thotë se Ligji për Kryqin e Kuq është i mangët dhe jo komplet. Ai madje thotë se në asnjë vend në botë, nuk ekziston që kompanitë e sigurimeve të paguajnë ndonjë përqindje për organizatat humanitare.

“Nëse ligji do të ishte i kompletuar, jo një, por 50 për qind kompanitë e sigurimeve do ta zbatonin. Ky ligj nuk mund të zbatohet për shkak se në ligj, duhet të ekzistojë ndonjë paragraf i veçantë, se në çfarë mënyre duhet t’i merret qytetarit një për qind", tha Pacolli .

Por, deputetët e Kuvendit të Kosovës, thonë se çdo ligj i miratuar në Kuvend, duhet të zbatohet.

Safete Hadërgjonaj, nga Komisioni për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se deri më tani, në këtë komision nuk ka ardhur ndonjë ankesë që paraqet vështirësi në zbatimin e ligjit në fjalë.

“Ligji është i miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe është obligim për zbatim. Nëse vërtet ka probleme të mëdha në zbatim, atëherë duhet të fillojë iniciativa për ndryshimin e ligjit. Sa të jetë ligji në fuqi, duhet të respektohet dhe zbatohet nga të gjithë ata që janë objekt i atij ligji”, thekson Hadergjonaj.

Sidoqoftë, të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë janë të regjistruara afër 290 mijë mjete motorike dhe jo motorike. Çmimet për sigurimet ndryshojnë në varësi të specifikave të mjetit motorik, duke filluar nga 60 deri në 250 euro.

Kryqi i Kuq i Kosovës, nuk ka bërë ndonjë analizë se sa është shuma e grumbulluar e borxhit të kompanive të sigurimeve. Por, megjithatë Adem Nura, thotë se ky borxh arrin në mbi një milion euro.

“Përafërsisht, në qoftë se është një euro për një automjet, atëherë 300 mijë vetura në vit regjistrohen, bëjnë 300 mijë euro, e nëse llogariten për pesë vjet, atëherë konsiderohet se janë 1.5 milionë euro. Por, kjo shumë është më e lartë sepse ata më shumë se një euro duhet të paguajnë”.

Në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, janë të licencuara 14 kompani të sigurimeve.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarë të kësaj banke, që janë mbikëqyrës të industrisë së sigurimeve, për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se në komunikimet zyrtare me kompanitë e sigurimit, përfaqësues të bankës kanë shprehur në mënyrë të qartë qëndrimin në favor të respektimit të tërë legjislacionit të aplikueshëm, për këto institucione financiare.

Banka Qendrore e Kosovës, thuhet në përgjigje, është interesuar dhe ka diskutuar për këtë temë me industrinë e sigurimeve dhe po ashtu, u ka bërë kërkesë kompanive që të jenë në pajtueshmëri të plotë me Ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Pas kësaj kërkese, departamenti i sigurimeve të BQK-së, është informuar nga Shoqata e Sigurimeve, se kjo e fundit ia ka adresuar Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese çështjen e Kryqit të Kuq.

XS
SM
MD
LG