Ndërlidhjet

Qeveria Mustafa, start të ngadalshëm, por edhe hapa drejt reformave fiskale


Kryeministri Isa Mustafa
Kryeministri Isa Mustafa

Qeveria aktuale e Kosovës, jo vetëm që u formua me gjashtë muaj vonesë, por është karakterizuar edhe me një start të ngadalshëm, vlerësojnë përfaqësues të opozitës dhe analistët politikë.

Përderisa nga analistët shihen edhe disa hapa pozitivë të kësaj qeverie, opozita i sheh 100 ditët e para të qeverisë aktuale si vazhdimësi të qeverisjes paraprake.

Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se Qeveria Mustafa u krijua në rrethana specifike nën kërkesat e faktorit të jashtëm për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtar që kishte marrë Kosova rreth themelimit të Gjykatës Speciale dhe vazhdimit të dialogut me Beogradin.

Kurse nga aspekti i brendshëm ai vëren si pozitive disa ligje për reformën fiskale dhe faljen e borxheve.

"Si aspekt pozitiv mund të shihen ligjet për reformën fiskale dhe falja e borxheve të cilat janë një hap i paparë deri më tani ,sepse është një qasje praktike dhe shumë e shpejtë në raport me përmirësimin e gjendjes ekonomike", ka vlerësuar Muhaxhiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Reformat e sistemit ekonomik, potencohet nga kryeministri Isa Mustafa si një nga objektivat kryesore.

Të martën, Mustafa ka prezantuar edhe miratimin e tri projektligjeve të pakos së re fiskale që është pjesë e programit të Qeverisë së Kosovës për reformën e sistemit ekonomik.

"Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me uljen e pragut të regjistrimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe përshkallëzimin e normës së TVSH-së, duke e vendosur një normë të reduktuar për produktet bazike, me qëllim që të bëhet një shpërndarje e barabartë e të ardhurave të konsumatorit dhe, duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe faktin se shumica e popullsisë shpenzon rreth 45 për qind të ardhurave të tyre për produkte ushqimore”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Ndërkohë, partitë opozitare nuk po shohin ndonjë ndryshim në Kosovë nga qeverisja aktuale e koalicionit të ndërtuar ndërmjet dy partive më të mëdha, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka vlerësuar se qeverisja aktuale nuk dallon me asgjë nga ajo paraprake.

"Kryeministri Mustafa po e vazhdon pikë për pikë modelin keq-qeverisës të Hashim Thaçit. Ky koalicion e ka dëshmuar se është koalicion i Gjykatës Speciale, i negociatave të padrejta me Serbinë dhe koalicion i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që po e bosnizon Kosovën", ka thënë Albulena Haxhiu.

Një vlerësim negativ për punën 100 ditëshe të qeverisë së Kosovës, ka edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Çka na ka ndodhur ne në Kosovë, çka i ka ndodhur qytetarit të vendit këto 100 ditë është mashtrimi. Jemi mashtruar në politika qeverisëse, jemi mashtruar në të gjitha obligimet që janë marrë nga institucionet e vendit, ka mashtrim ndaj qytetarit direkt, mashtrime të ndërsjella në politikë, mashtrime me partnerë e akterë ndërkombëtar, pra thjeshtë jemi në një vorbull të mashtrimit nga qeveria Mustafa - Thaçi", ka deklaruar Haradinaj.

Në anën tjetër, analisti Artan Muhaxhiri ndalet edhe në disa çështje konkrete politike, për të cilat mendon se Qeveria nën drejtimin e Isa Mustafës nuk ishte treguar sa duhet e suksesshme.

"Keq-menaxhimi i situatës me ish-ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq dhe mos reagimi ndaj ikjes masive të shtetasve të Kosovës për në perëndim, mendoj se ishin dy çështjet në të cilat qeveria ka dështuar, sepse nuk ka reaguar sipas gjendjes në terren", ka theksuar Muhaxhiri.

Gjatë këtyre muajve të parë të qeverisjes, Mustafa u ballafaqua edhe me një jo unitet të partisë së tij, LDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Isa Mustafa, sipas Artan Muhaxhiri nuk ka arritur të krijojë një harmoni të plotë midis ministrave të PDK-së dhe LDK-së përbrenda kabinetit qeveritar.

Ky hendek, sipas tij, i jep një hapësirë, ish-kryeministrit dhe tani zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi që të ketë një rol me ndikim në funksionimin e kësaj qeverie.

XS
SM
MD
LG