Ndërlidhjet

Vazhdon kthimi i migrantëve


Në Kosovë po vazhdon riatdhesimi i personave, të cilët muajve të fundit kanë migruar në mënyrë ilegale në vendet e Bashkimit Evropian.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të premten kanë arritur edhe 11 persona nga shteti i Norvegjisë, kurse sipas paralajmërimeve fluksi tjetër i qytetarëve nga vendet e Evropës Perëndimore pritet të arrijë më 31 mars dhe 1 prill.

Kështu thotë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Valon Krasniqi nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, departament ky që funksionon në kuadër të Ministrisë se Brendshme.

“Deri të mërkurën janë kthyer 2679 persona, kryesisht nga Gjermania, Hungaria, Austria dhe Belgjika".

Pas kthimit të këtyre qytetarëve në Kosovë, çështja kalon te Departamenti për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar. Këta persona nuk përfitojnë nga Programi i Ri-integrimit, por janë disa “skema të natyrës urgjente që mund t'i përfitojnë të gjithë të riatdhesuarit".

Fahrije Ternava - Sheremeti, drejtore e këtij departamenti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë sfidë në procesin e re-integrimit.

“Këta së fundmi që kanë lëshuar Kosovën ose pas vitit 2010, mund të përfitojnë transport prej aeroportit ose pikave tjera të kalimit kufitar, në rast të kthimeve tokësore, deri në komunën e tyre".

"Të kthyerit mund të përfitojnë punësim edhe aftësim profesional. Pra, regjistrohen në zyrat e punësimit si punëkërkues, (kuptohet se ata janë të papunë) dhe ndërmjetësohet nga programi i cili aktualisht është financuar prej programit të ri-integrimit, por implementohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim më Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, tha Tërnava- Sheremeti.

Ndërkaq, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë procesin e ri-integrimit të personave të kthyer në Kosovë, konsiderojnë se zgjidhja e problemeve të personave të riatdhesuar, që muajve të fundit kanë lëshuar Kosovën, duhet të jetë më e qëndrueshme.

Hilmi Jashari, përfaqësues në Programin për të Drejtat Civile, thotë se nga personat e riatdhesuar nuk kanë pranuar ndonjë shqetësim eventual. Por, megjithatë Jashari thotë se fluksi i fundit i të kthyerve, nuk gëzon mbrojtje të duhur ligjore.

“Një pjesë e madhe e tyre kanë nevojë për përkrahje të shtetit, mirëpo defekti ka qenë te ligji sepse afatizimi i ligjit është për të gjithë ata persona të cilët janë larguar nga Kosova deri në vitin 2010. Pas kësaj date, të gjithë personat e riatdhesuar nuk gëzojnë asnjë mbrojtje nga shteti në aspektin material, qoftë ndihma emergjente, qoftë të llojit tjetër“, tha Jashari.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti, mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kanë braktisur Republikën e Kosovës për shkak të siç thuhet “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian".

Kalimi ilegal është bërë fillimisht duke kaluar në Serbi dhe më pas, kryesisht përmes trafikantëve, duke kaluar në vendin e parë të BE-së, Hungari.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkaq kanë tërhequr vërejtjen se qytetarëve të Kosovës nuk do t’u njihet e drejta e azilit, kurse autoritetet kompetente në Prishtinë, vazhdimisht kanë deklaruar se "numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, do të vështirësojë edhe më shumë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës".

XS
SM
MD
LG