Ndërlidhjet

Maqedoni: Lustrimi i gazetarëve që mendojnë ndryshe


@Shutterstock
@Shutterstock

Vendimi i Komisionit Shtetëror për Lustrim në Maqedoni, në bazë të të cilit redaktorja e së ëprjavshmes “Fokus”, Jadranka Kostova, shpallet si bashkëpunëtore e shërbimeve sekrete gjatë periudhës së viteve të 90-ta ka ngjallur reagime të ashpra në mesin e gazetarëve.

Në atë kohë, zonja Kostova punonte për shërbimin publik në Radio Televizionin e Maqedonisë.

Gazetarët thonë se me vendimin e fundit, pushteti po u hakmerret të gjithë atyre që kanë mendim kritik ndaj veprimeve të qeverisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri Nikolla Gruevski.

Nazim Rashiti, gazetar thotë se qeverisja e viteve të fundit në Maqedoni ka pasur një qëndrim armiqësor ndaj mediave dhe fjalës së lire, e cila gjë, thotë zoti Rashiti, mund të dëshmohet edhe me radhitjen e ulët që Maqedonia merr në raportet ndërkombëtare që masin lirinë e shprehjes në botë...

“Në këtë kontekst mund të shihen edhe tentativat e fundit , me ç’rast tentohet që gazetarët para opinionit të prezantohen sikur janë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete dhe e gjithë kjo bëhet në të njetjën kohë, kur në Maqedoni po ndodh një krizë e madhe politike”.

“Njëkohësisht zërat e lirë, zërat e pavarur, të cilët i tregojnë opinionit se çka në të vërtetë po ndodh në vend, janë aq të paktë, veçanërisht në mediat maqedonase. Me këtë veprim qeveria synon që gazetarin, në sytë e qytetarit ta paraqes sa më pak që është e mundur si të besueshëm”, thotë zoti Rashiti.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Axhiev, nuk ka dhënë detaje rreth asaj se çka pëmban dosja e gazetares Jadranka Kostova, duke ritheksuar se komisioni të cilin e drejton, nuk merret vetëm me gazetarët, por me të gjithë ata persona të cilët i përfshin ligji për Lustrim.

“Komisioni për Lustrim gjatë tërë kohës angazhohet në zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret në periudhën e cila është e përcaktuar me ligj. Më duhet të rikujtoj se kjo periudhë i përfshin bartësit e funksioneve publike në mesin e të cilëve bëjnë pjesë dhe punonjësit e angazhuar në servisin publik, përkatësisht Radio Televizionin e Maqedonisë”, ka thënë Axhiev.

Por me këtë qëndrim nuk pajtohet Olivera Trajkovska, e cila gjithashtu ka punuar së bashku me zonjën Kostova në periudhën e njejtë, duke theksuar se vendimi i Komisionit nuk është i argumentuar.

“Unë nuk do të them se Tome Axhiev punon ose jo në bazë të porosive që mer nga pushteti, por mjafton që të shihet koncepti mbi të cilin gazetarja Kostova është shpallur bashkëpuntore e shërbimeve sekrete, duke marrë dy fletë-shënimesh nga arkivi shtetëror, pa e konfirmuar vërtetësinë e tyre,” thekson për Radion Evropa e Lirë, Olivera Trajkovska.

Edhe Nazim Rashiti konsideron se kjo goditje që u bëhet gazetarëve përmes Komisionit Shtetëror për Lustrim nuk paraqet vetëm goditje për punonjësit në media, por për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Në këtë lloj mënyre jipet mesazh se edhe gazetarët mund të etiketohen, pra pikërisht ata të cilët e kanë punë të meren me përcjelljen e informacioneve. Imagjinoni se çka mund t`ju ndodh njërëzve të zakonshëm”, thotë zoti Rashiti.

Sipas Ligjit për Lustrim, procesi i lustrimit në Maqedoni duhet të përfundojë në vitin 2019, duke përfshirë periudhën nga viti 1945 e deri në vitin 2006.

Maqedonia ka ndjekur hapat e shumë vendeve të tjera ish komuniste, të cilat kanë miratuar ligjet për lustrim, si një nga format për të adresuar padrejtësittë e së kaluarës, që kanë dalë nga përndjekjet e motivuara politikisht.

Por, që prej themelimit të Komisionit në Maqedoni, ky institucion është përballur me kritika të rrepta nga opozita, përfaqësues të së cilës kanë pohuar se synimi i Komisionit është shtypja e mendimit kritik ndaj pushtetit.

XS
SM
MD
LG